Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka deklaruar se që nga marrja e mandatit kërkesa e tij e vazhdueshme drejtuar autoriteteve ka qenë aprovimi i Ligjit për Pagat.
Krejt kjo ngase sipas tij, është hasur trajtim i pabarabartë i zyrtarëve që punojnë në administratën publike.
“Kërkesë e imja e vazhdueshme drejtuar autoriteteve të qeverisë qysh nga marrja e mandatit ka qenë aprovimi i ligjit për pagat sepse konsiderojë që mos harmonizimi i pagave në sektorin publik krijon situata diskriminuese të trajtimit të pabarabartë të zyrtarëve që punojnë në administratën publike dhe shtetërore dhe padyshim që do të insistojmë edhe më tej te Qeveria që ky Ligj të aprovohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Qelaj.
Sa i përket çështjes së pagesë për rrymën e shpenzuar në veri, ai sqaroi se e tërë barra iu është ngarkuar qytetarëve të pjesës tjetër të vendit, duke theksuar se janë në pritje të vendimin e Gjykatës së Apelit.
“Ne kemi pasur një situatë të tillë kur vendimin e zyrës për rregullatorin e energjisë me të cilën i ka ngarkuar me fatura qytetarët e Kosovë për energjinë e shpenzuar në veri kemi dërguar në gjykatën me padi në kontest administrativ”.
“Vendimi i gjykatës në shkallë të parë ka qenë se vendimi ZRrE është i kundërligjshëm. Poashtu kanë qenë arsyet pse ky vendim është dërguar në gjykatën me kontest administrativ. E para ka të bëjë me vetë diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të qytetarëve varësisht nga territori ku banojnë. Banorët në pjesën e veriut nuk paguajnë rrymë ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve të Kosovës paguajnë”.
“E dyta ka qenë që askush nuk mund të ngarkohet me borxh të huaj. Në fakt qytetarët janë ngarkuar për shpenzimet e një pjese të qytetarëve që jetojnë në një territor të caktuar. Vazhdojmë me pas kujdes në trajtimin e kësaj çështje. Ne presim vendimin e Gjykatës së Apelit sepse rasti është apeluar nga ZRrE. Edhe vendimet e fundit të Qeverisë të cilat kanë të bëjnë me ndarjen e mjeteve financiare KOSTT dhe KEDS padyshim që te ne kanë zgjuar interesim për t’i trajtuar këto raste, por ende nuk kemi qëndrim zyrtar. Realisht nuk kemi pasur ankesa. Veprimet janë ndërmarrë menjëherë”, tha ai.
Sipas tij, zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit është një problematikë që nga themelimi i këtij institucioni, duke shtuar se rreth 40% e rekomandimeve zbatohen nga institucionet.
“Tani zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit është një problematikë që nga themelimi i këtij institucioni. Aktualisht institucionet kanë filluar të përgjigjen pozitivisht kërkesave dhe thirrjeve që i bënë avokati i popullit dhe kjo shton entuziazmin tim që në të ardhmen do të përmisohet kjo situatë. Aktualisht jemi te 40% i zbatimit të rekomandimeve të avokatit të popullit por numri i rekomandimeve që janë në pritje të zbatohen është shumë më i madh”.
“Me shumë angazhim. Me një kujdes të veçantë për t’i adresuar çështjet më të ndjeshme dhe më sistematike të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ka ndodhur shumë procese që mbeten të trajtohen në vitin 2022. Janë shumë procese në vazhdim, nisma të Qeverisë për të cilat duhet t’i trajtojmë kujdesshëm duke filluar nga çështjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucioneve të pavarura qoftë sektorit të drejtësisë apo të tjerë”./Gazeta “Enigma”/