Avokati i Speciales: Gjykata të mos lejojë ndryshimin e aktakuzës për ish krerët e UÇK-së

Avokati i Speciales: Gjykata të mos lejojë ndryshimin e aktakuzës për ish krerët e UÇK-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës të premten e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, shkruan Gazeta “Enigma”.



Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të prentenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza e re është më pak konfidenciale dhe ka më pak pjesë të redaktuara.

Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.

Por, avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, vendimin e fundit të këtij institucioni e konsideron jo të duhur.

Sipas tij ndryshimi i përmbajtjes së aktakuzës s’duhet lejuar nga gjykata.

“Mendoj se ky ndryshim i aktakuzës nuk duhet lejohet nga gjykata. Nëse lejohet, ky ndryshim do të ndikojë në masë shumë të madhe në zvarritjen e procedurës”, ka thënë ai për Gazetën “Enigma”.

Ai po ashtu vlerëson se si pasojë e këtij vendimi do të cenohet e drejta për gjykim brenda afatit të arsyeshëm.

Çka thotë aktakuza e re?

Prokuroria rendit akuza për krime që pretendohet të jenë kryer në disa shtëpi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa proces të rregullt, duke i mbajtur të arrestuar në lokacione si Budakovë e Semetishtë, në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999. Më 4 korrik, një person (REDAKTUAR) po ngiste mbi një kamionetë, kur tre burra u ndaluan nga (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR), të cilët kishin veshur uniforma të zeza dhe mbanin pushkë automatike. Një person i tretë me uniformë mbërriti dhe qëndroi përballë me një raketahedhëse. I futën në bagazhin e automjetit dhe i dërguan në një shtëpi në Budakovë. Të tre burrat u vendosën në një bodrum dhe pastaj u rrahën”, thuhet ndër tjerash në pjesët e reja të aktakuzës.

Ish-pjesëtarë të UÇK-së, pa u specifikuar me emra, akuzohen se u kishin shkaktuar “vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike”, si dhe kishin “sulmuar dinjitetin e viktimave, duke i ndaluar në mënyrë arbitrare”.

“Një person (REDAKTUAR) dhe një shqiptar tjetër, kur u arrestuan rreth datës 4 korrik 1998 iu drejtuan edhe armët. Ndërsa po largoheshin nga vendi i arrestimit, u qëllua në (REDAKTUAR). Pas arrestimit tre burrat i dërguan në një shtëpi në Budakovë, dhe i rrahën për një orë. Tre burrat konsideroheshin se ishin bashkëpunëtorë të Serbisë dhe u torturuan edhe me ujë të nxehtë”, thuhet më tej në aktakuzë./ Gazeta Enigma.

Related Articles