Pierre Richard Prosper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e sotme paragjyqsore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është ankuar në lidhje me informacionet që i janë ofruar nga Prokuroria.
Avokati Prosper tha se informacioni i oftuar nuk është i plotë.
“Informacioni që është vënën në dispozicion është pothuajse i palexueshëm. Dokumentacioni që na është dhënë nuk është i plotë, është i një kualiteti shumë të dobët”, tha ai
“Besojmë që duhet nxjerrë më shumë informacion”, theksoi avokati amerikan.
Në seancën që po vijon të mbahet në Hagë, Prokuroria po arsyetohet në lidhje me vonesat e ndryshme për ofrimin e dokumentacionin, ndërsa zvokatët e të akuzuarve theksojnë vërejtjet e tyre, që kanë të bëjnë kryesisht në lidhje me materialet e ofruara nga organi i akuzës.
Në nëntor të vitit të kaluar u arrestuan katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Arrestimet erdhën pasi një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.