Batatina për Enigmën: Ndaj Prishtinës do të luajmë me formacionin ma të mirë, kërkojmë fitore ndaj tyre

Batatina për Enigmën: Ndaj Prishtinës do të luajmë me formacionin ma të mirë, kërkojmë fitore ndaj tyre

Llapi dhe Prishtina do të takohen të dielën në kuadër të xhiros së 36-të në Superligë. Ky takim këto dy skuadra i gjen me një gjendje komplet ndryshe prej njëra-tjetrës. Një Llap që ka siguruar daljen në garat Europiane dhe do të luajë në finale të Kupës së Kosovës ndaj Dritës, kurse Prishtina në krizë financiare dhe në krizë të rezultateve ku rrezikon barazhin nëse nuk fiton ndaj skuadrës së Tahir Batatinës.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina në një intervistë për Gazetën Enigma, ka thënë se përballja ndaj Prishtinës do të jetë një ‘peshk’ para ndeshjes ndaj Dritës.

“Paraqitja jonë në këtë ndeshje ka me qenë ‘peshk’ para ndeshjes ndaj Dritës. Ne duhet të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, ta shohim potencialin tonë ndaj Prishtinës, ekipa duhet të jetë në formën optimale dhe ta jap maksimumin në këtë lojë për të qenë në formë në ndeshjen e radhës”, thotë Batatina për Gazetën Enigma.

Llapi më 26 maj do ta ketë ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni, finalen e Kupës së Kosovës ndaj Dritës. Batatina thotë se skuadra e tij ka potencial që t’i përballojë të dy ndeshjet dhe nuk i intereson pozicionimi i Prishtinës.

“Sidoqoftë mendoj që skuadra ka potencial që t’i përballoj të dy ndeshjet, duke ditur së në vazhdimësi kom bo ndryshime në skuadër, por mendoj që ndaj Prishtinës do ta bëjmë maksimumin pa marrë parasysh se në cilën pozitë është Prishtina. Ne do t’i qasemi lojës në mënyrën më të mirë të mundshme, do ta bëjmë maksimumin në këtë lojë dhe ta shohim potencialin e skuadrës, formën e lojtarëve se sa janë të gatshëm për finale dhe çka mund të ndryshojmë taktikisht”, vlerëson trajneri i Llapit.

44-vjeçari ia bën të qartë Prishtinës se në këtë lojë do të luajë me lojtarët më të mirë që i ka në dispozicion për t’u përgatitur sa më mirë për finalen e Kupës së Kosovës.

“Në këtë lojë do të luajnë lojtarët kryesorë, nuk do të ketë rotacion, me vetë faktin se lojtarët kanë pushuar mjaftueshëm, do ta shohë formën e ekipës, formën e lojtarëve. Në këtë ndeshje ndoshta do të luajmë me formacionin në të cilën do të jetë po kjo skuadër startuese në finale. Por ndoshta do të ketë ndryshime, ato që i aplikon çdo trajner prej lojës në lojë. Në këtë lojë do të jetë skuadra më e mirë në fushë për ta parë se ku jemi para finales së madhe ndaj Dritës”, thotë ai.

“Ne do ta bëjmë maksimumin pa marrë parasysh që është loja e fundit. Në çfarë pozite është Prishtina nuk është përgjegjësi e ynja, ne do ta bëjmë maksimumin t’i arkëtojmë pikët dhe secila skuadër i ka objektivat dhe qëllimet e veta”.

I pyetur se a do t’i vie keq që Prishtina mund të përfundojë në barazh shkaku i Llapit, Batatina thotë se skuadrës së tij nuk i intereson kjo pjesë.

“Prishtina e ka dërguar vetën në barazh lojën me Dritën, Prishtina nuk arritë të fitojë në stadiumin e vet, nuk është Llapi që e dërgon Prishtinën në barazh, po ajo po e qon vetvetën bë barazh. Prishtina ka pasë mundësi ideale që ta marrë një pikë, apo tri pikë dhe të jenë të qetë në ndeshjen e fundit. Ne fare për atë pjesë nuk brengosemi, do ta bëjmë maksimumin dhe asnjëherë Llapit nuk i intereson se cila skuadër jetë në barazh dhe cila skuadër mbet në ligë”, thotë Batatina.

Ai i mirëpret tifozërinë “plisat” në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Batatina thotë se futbolli luhet për shikues, prandaj të gjithë tifozëritë i kanë dyertë e hapura në stadiumin e tyre.

“Sa i përket ‘plisave’ unë mendoj që ata mund të vijnë, por sa mund ta pushtojnë “Zahir Pajazitin” ajo mbetet të shihet. Ne i mirëpresim të gjitha tifozëritë që vinë në stadiumin “Zahir Pajaziti” sepse futbolli luhet për shikues. Por te pjesa tjetër na takon neve, pasi ne do ta bëjmë maksimumin, do të mundohemi ta mposhtemi Prishtinën dhe në vazhdimësi të kemi një formë ma optimale dhe të jemi më të motivuar për finale”, thotë ai.

Kujtojmë që Llapi pozicionohet në vendin e katërt me 54 pikë, fitorja, barazimi apo humbja nuk ka rendësi në rënditje për ta. Kurse, Prishtina pozicionohet në vendin e gjashtë me 48 pikë dhe rrezikon barazhin në rast të humbjes.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles