BE: Masat ndaj Kosovës do të vazhdojnë të mbeten në fuqi

BE: Masat ndaj Kosovës do të vazhdojnë të mbeten në fuqi

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka deklaruar sot se masat ndaj Kosovës do të vazhdojnë të mbeten ende në fuqi.

Në një konferencë për media të mërkurën, Stano tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk “kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për shtendosje kuptimplotë”.

“Masat e prezantuara për Kosovën ishin reagim direkt ndaj eskalimit që pati, apo mungesës së shtendosjes që kemi parë më herët, nuk po flas për 24 shtatorin, po flas për periudhë para kësaj. Shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për shtendosje kuptimplotë, për këtë arsye masat janë ende në fuqi”, ka thënë Stano në konferencë për media.

Sipas tij, pozicionit të Bashkimit Evropian për dialogun për i qartë, palët duhet ta vazhdojnë këtë proces me përpjekje për arritje të kompromisit.

Stano nuk ka pranuar të përgjigjet nëse ka ndonjë pako të masave për Serbinë, mirëpo ka theksuar se janë duke e pritur hetimin e plotë.

“Kur jemi tek hetimi, më duhet ta përsërisë atë që kam thënë shumë herë tani më, presim rezultatin përfundimtar të hetimit të plotë. Kur të përfundohen hetimet, e BE-ja të ketë rezultatet, e të ketë pamje të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush qëndron prapa kësaj, atëherë shtetet anëtare do të vendosin për hapa tjerë”, deklaroi ai.

Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.

Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Related Articles