Ende nuk dihet se kur mund t’i largojë Bashkimi Evropian masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pavarësisht se kërkesa e tyre ishte që të ndërrohej pushteti lokal në katër komunat veriore, shkruan Gazeta “Enigma”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Raportuesin Evropian për Kosovën, Riho Terras, të martën tha se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.
Krahas kësaj Osmani ka thënë se “vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm”.
Ajo ka kërkuar mbështetjen e Terras për heqjen e masave.
“Kërkova mbështetjen e z. Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë. Heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave”, ka thënë Osmani.
Tutje ajo ka theksuar se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE duhet të procedohet sa më parë dhe anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.
Në kuadër të miratimit të konkluzave për takimin ministror të dhjetorit, po zhvillohen diskutime mes shteteve anëtare për formulimin e mesazhit që i referohet heqjes së masave.
Mediat raportojnë se ekzistojnë ndasi sa i përket qasjes ndaj kësaj çështjeje. Shtetet janë të ndara mes atyre që dëshirojnë heqjen e menjëhershme dhe atyre që preferojnë një qasje graduale.
Ndasitë janë të pranishme edhe mes institucioneve evropiane.
Ndërsa Shërbimi i Veprimit të Jashtëm, nën drejtimin e kryediplomates Kaja Kallas, mbështet heqjen e plotë të masave, Komisioni Evropian, sipas burimeve, mban qëndrimin e shteteve anëtare që hezitojnë t’i largojnë tërësisht masat.
“BE me sjellje raciste ndaj Kosovës”
Profesori universitar, Mazllum Baraliu tha Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij janë duke u treguar shumë të papërgjegjshëm dhe diskriminues ndaj Kosovës.
Në një përgjigje për gazetën “Enigma” Baraliu ka theksuar se BE po tregohen që janë racistë, kanë sjellje raciste më shumë sesa diskriminuese.
Sipas tij pas përmbushjes së kërkesës për konstituimin e organeve nga zgjedhjet në komunat në veri, tani ata po kërkojnë edhe çështje tjera pa kufi.
“Për sjelljet jashtëzakonisht të papërgjegjshme dhe burokratike skajshmërisht për të mos thënë edhe diskriminuese dhe më shumë se kaq Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij ndaj Kosovës. Njëherë kanë thënë se vetëm të fillojë konstituimi i organeve të reja nga zgjedhjet lokale në komunat veriore, ajo u bë tash po kërkojnë edhe çështje tjera pa kufi, ndërkohë që nuk e njohin shtetin e Kosovës, janë neutral ndaj tij, ka disa shtete që edhe nuk na njohin”, tha Baraliu.
Tutje ai ka shtuar se “faktikisht po tregohen që janë racistë, kanë sjellje raciste më shumë sesa diskriminuese dhe demokratike po bën Bashkimi Evropian i cili është në krizë të thellë dhe të veprimtarisë dhe të unitetit, por edhe të identitetit dhe prandaj në të gjitha planet është në dështim e sipër dhe tani po sillet me Kosovën sikur të ishte toka e askujt”.
“Përderisa mund të jetë vetëm një shtet kundër nesh nuk hiqen masat”
“Nuk mund të paragjykojmë ose të presim se kur do të hiqen këto masa sepse disa shtete kanë kushte disa shtete janë kundër, dhe dihet se nga ato që janë kundër mjafton vetëm njëra nga to të vazhdojë te jetë kundër nuk hiqen masat”, deklaroi Baraliu për “Enigmën”.
Tutje ai ka theksuar se sipas qëndrimeve diskriminuese dhe raciste nuk mund të kemi limite kohore se kur mund të hiqen masat e tyre ndaj Kosovës.
“Prandaj nuk ka ndonjë limit kohorë ose ndonjë siguri as parashikuese për arsye të qëndrimeve të pakoordinuara dhe të qëndrimeve jo vetëm diskriminuese por më shumë se kaq ndaj Kosovës deri në diskriminime raciste sepse ndryshe kjo nuk mund të përkufizohet”, tha ai.
“Brukseli nuk po e sheh të mjaftueshme vetëm trazcionindemokratik në veri”
Njohësi tjetër i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, për “Enigmën” thotë se për BE-në problemi kryesor mbetet fakti që Albin Kurti vazhdon të jetë kryeministër në detyrë.
“Sa i përket heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, realiteti është se Brukseli nuk po e sheh të mjaftueshme vetëm tranzicionin demokratik në veri. Për BE-në problemi kryesor mbetet fakti që Albin Kurti vazhdon të jetë kryeministër në detyrë. Raporti i besimit mes tij dhe partnerëve perëndimorë është thyer thellë dhe ai tashmë perceptohet si i paparashikueshëm dhe i vështirë për t’u menaxhuar nga aleatët”, deklaroi Muhaxheri.
Tutje ai ka theksuar se “për këtë arsye, sinjalet nga diplomacia evropiane tregojnë se masat nuk pritet të hiqen plotësisht sa kohë që Kurti është në krye të qeverisë. Heqja totale e tyre mund të vijë vetëm në një situatë të re politike, me një qeveri tjetër dhe me një qasje më bashkëpunuese ndaj BE-së dhe SHBA-së”. /Gazeta Enigma/
