BE pritet t’i bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përfitojnë nga plani evropian

BE pritet t’i bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përfitojnë nga plani evropian

Raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë diskutimi në samitin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së, që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Zyrtarët e BE-së konfirmuan se kjo pikë u përfshi në minutën e fundit. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të përfshihet në konkluzionet e samitit.

Në dritën e tensioneve të fundit në veri të Kosovës, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të theksojnë nevojën urgjente për përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Këshilli Evropian mirëpret propozimin evropian për vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve mbi një bazë të re dhe të qëndrueshme si një mundësi historike që të dyja palët duhet ta shfrytëzojnë për të arritur perspektivën e tyre evropiane”, thuhet në draft-konkluzionet, të cilat Radio Evropa e Lirë raporton se ka pasur qasje.

Gjithashtu, përmes konkluzioneve, do të apelohet nga të dyja palët që të “zbatojnë plotësisht dhe pa kushte” detyrimet që kanë marrë në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.

Related Articles