Bedri Hamza nis dëshminë në rastin e “53-milionëshit”

Bedri Hamza nis dëshminë në rastin e “53-milionëshit”

Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, në kohën e Qeverisë Haradinaj ka filluar të dëgjohet të mërkurën, në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hamza pritej të dëshmonte në seancën e 15 majit 2023, por kjo seancë kishte dështuar për shkak se anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili ishte në trajtim mjekësor.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt 2022, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri,  drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Related Articles