A ‘u zbut’ Qeveria e Kosovës – Çka përfshin marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri?

A ‘u zbut’ Qeveria e Kosovës – Çka përfshin marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri?

Larg syrit të publikut e të mediave, numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak i shtrinë duar për një marrëveshje e cila tenton shtensionimin e situatës në veri të vendit, shkruan Gazeta Enigma.

Një ditë pas arritjes së kësaj marrëveshje, Zyra e Kryeministrit njoftoi të martën për rezultatin e takimit ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit europian, Miroslav Lajçak.

“Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thanë nga ekzekutivi.

Një pikë tjetër ishte dakoridmi që policia e Kosovës duhet ta bëjë me Eulex dhe KFOR, për prezencën e tyre në veri.

“Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet në pikën e dytë, sipas Qeverisë.

Qeveria gjithashtu është pajtuar, që “pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs” dhe që ta “shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

Pika e fundit ka të bëjë me takimin ndërmjet Bislimit e Petkoviqit që pritet të zhvillohet javën e ardhshme. “Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore”, theksuan nga Qeveria.

BE-ja shpalos edhe një pikë shtesë

Përpos pikave që u cekën nga Qeveria e Kosovës, Bislimi dhe Petkoviq u pajtuan për hapat e parë që duhet t’i bëjë Kosova për shtensionimin e situatës.
“Ata diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komunat veriore dhe kthimin në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut, sipas deklaratës së 3 qershorit të BE-së”, thuhet në përgjigjen e BE-së dhënë Express.

“Ata ranë dakord për hapat e parë prioritarë të Kosovës në të gjitha këto 3 fusha”, shtoi ajo.

Fushat për të cilat u morën vesh Bislimi e Lajçak përfshijnë “zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale”. Gjithashtu, siç i tha Muletier Gazetës Express, Kosova do të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore “duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”. Po ashtu, Kosova duhet të përgatitet për zgjedhje të parakohshme lokale.

“Emisari i ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme për t’i vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë që zbatimi i plotë i Marrëveshjes të fillojë pa vonesë të mëtejshme”, tha Muletier. / Gazeta Enigma.

Related Articles