Kryenegociatori i Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, nesër në Bruksel do të takohet me udhëheqësin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ky takim të zhvillohet me ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas mediave serbe, delegacioni nga Beogradi, i kryesuar nga Petar Petkoviqi, është nisur tashmë për në Bruksel, ku nesër i pret raundi i ri i bisedimeve në kuadër të procesit të dialogut.
Siç i është thënë agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug” në Zyrën që udhëhiqet nga Petkoviqi, delegacioni serb pritet t’i nisë bisedimet të hënën në orën 10:30 në ndërtesën e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), kur Petkoviq pritet që të takohet së pari me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe më pas janë të parapara bisedimet e drejtpërdrejta Kosovë-Serbi.