Tema kryesore në opinionin kosovar tash e disa muaj është Shefja e Grupit Paralemtar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, të cilës i janë publikuar disa komunikime të njëpasnjëshme me kryeterroristin e sulmit të Banjskës, Milan Radoiçiç, shkruan Gazeta Enigma.
Dikush po e fajëson atë për miqësi me Listën Serbe, e partitë opozitare po kërkojnë edhe dorëheqjen e saj nga pozita që mbanë.
Për këtë partitë opozitare thirrën seancë të jashtëzakonshme, e cila u injorua nga pushteti. Kusari-Lila e quajti bisedën e publikuar të fabrikuar dhe akuzoi opozitën për përpjekje për ta linçuar dhe për të dëmtuar kredibilitetin e qeverisë Kurti, raporton tutje Gazeta Enigma.
Ajo theksoi se nuk ka pasur asnjë bisedë me Radoiçiç dhe se ai është përndjekur në Kosovë.
Gjatë fjalës së saj ajo përmendi publikimin e fotografive të përurimit të shtëpisë së Radoiçiçit dhe dhuratat për fëmijët e tij nga zyrtarë të lartë.
Tensioni në seancë u intensifikua kur deputetja e AAK-së, Time Kadrija, e quajti Kusari-Lila “spiune”, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi rrethoi foltoren me shirita të verdhë me mbinskriptionin “danger”.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që t’i hetojë përgjimet e publikuara.
Në emër të LDK-së, deputeti Anton Quni, ka thënë se “nuk e di se si kryeministri Kurti e ka detyruar Kusari-Lilën që të bëjë marrëveshje të fshehtë me terroristin Milan Radoiçiq.
Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Milan Radoiçiqi, është kthyer në Kosovë me ardhjen e Albin Kurtit kryeministër. Ai ka shtuar se Radoiçiq u kthye në faktor marrëveshjesh gjatë qeverisjes Kurti.
Por sa kanë ndikim këto “biseda” në imazhin e Lëvizjes Vetëvendosje?
Politologu Fidan Ukaj theksoi se ndikimi i përgjimeve ndaj Mimoza Kusari-Lilës në Lëvizjen Vetëvendosje është i rëndësishëm, dhe se nëse ajo vazhdon të mbetet në krye të LVV-së, nuk do t’i sjellë dobi as subjektit politik as Qeverisë.
Ukaj thekson se LVV duhet të distancohet nga veprimet e shefes së grupit parlamentar, Kusari-Lilës.
“Sigurisht që ndikimi i përgjimit që ka ndodhur dhe u bë publik është i konsiderueshëm. Lëvizja Vetëvendosje duhet të distancohet nga veprimet e shefes së grupit parlamentar, pavarësisht pozicionit që ajo mban. Vazhdimi i saj si shefe e grupit parlamentar të LVV-së nuk i bën hajr as subjektit politik, as Qeverisë, e as imazhit institucional. Sa i përket punës dhe angazhimeve në institucione, përfaqësimi në Kuvend krijon një imazh të keq nëse ajo vazhdon të mbetet në krye të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Ukaj për Enigmën.
“Bisedat e Mihailit dhe Krasniqit janë të kundërligjshme, Kurti përgjegjës”
Sa i përket bisedave mes shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, dhe Slavko Simiq, deputeti i LDK-së, Arben Gashi u shpreh i bindur se kryeministri Albin Kurti mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo komunikim të Kusari-Lilës.
Deputeti i LDK-së theksoi se këto komunikime dëshmojnë në fakt lidhje të Kurtit me Radoiçiçin dhe Simiqin.
“Është çështje e brendshme e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, por unë jam i bindur se ai është i përfshirë dhe përgjegjës për çdo komunikim që ka Kusari-Lila. Nuk janë thjesht biseda të saj, por komunikime të Albin Kurtit me Radoiçiçin dhe Simiqin,” deklaroi Gashi.
Ai ka kritikuar edhe bisedat e publikuara të Dejona Mihailit dhe Nagip Krasniqit, duke i cilësuar ato si kundërligjore.
“Përveçse janë kundërligjore, këto biseda përbëjnë një ndërhyrje në institucione të pavarura dhe ligjore, e cila është e padenjë,” potencoi Gashi për Gazetën Enigma.
“Dejona Mihaili është masha e Kurtit dhe e përfshirë në kontrollin e ministrave”
Ish-deputeti i VV-së dhe aktualisht deputet i pavarur, Haki Abazi, ka bërë komente të ashpra lidhur me bisedat e Dejona Mihailit me Nagip Krasniqin, duke e cilësuar atë si një figurë që vepron nën ndikimin e kryeministrit Albin Kurti.
“Ajo është masha e Kurtit. Nuk ka ministër të Qeverisë që nuk ia ngreh veshin. Çdo sektor dhe lëvizje brenda Vetëvendosjes është nën kontrollin e saj,” deklaroi Abazi. Ai e krahasoi Mihailin me Nexhmije Hoxhën, duke e akuzuar për sjellje që i ngjajnë neofashizmit dhe neokomunizmit.
Abazi gjithashtu shprehu dyshime për përfshirjen e Mihailit në zhdukjen e mostrave të rastit Astrit Dehari. “Unë e kam thënë edhe para tre vitesh: Dejona Mihaili është e përfshirë direkt në zhdukjen e mostrave të Deharit,” theksoi ai, duke lënë të kuptohet se roli i saj në çështje të ndjeshme është shumë më i madh se çfarë duket.
Ndër të tjera, një nga aferat më të mëdha të Qeverisë Kurti, që lidhet me punësimin e qindra individëve të afërt me partinë në pushtet në KEK, u diskutua në mesazhet e Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqi, të siguruara nga Nacionale.
Në prill të vitit 2022, implicimi i Ylli Shalës, një anëtari të Komisionit vlerësues në KEK, në rastin e qytetarit Patriot Brahimi, paraqiste një shqetësim për Mihalin dhe Krasniqin.
Në një mesazh, Mihali i informon Krasniqin se “djali i dëshmorit, i cili kishte aplikuar në KEK,” ishte kontaktuar nga komisioni dhe e këshillon atë që të mos ndërmarrë veprime në këtë çështje./GazetaEnigma/