Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia nuk janë takuar të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, raporton Gazeta “Enigma”.
Secili veç e veç kanë takuar të dërguarin special të bllokut evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, mirëpo nuk janë realizuar takime trepalëshe.
Pritet që takimet të vazhdojnë edhe të mërkurën.
Mësohet se ndër temat për të cilat është diskutuar kanë qenë ato që lidhen me energjinë, të pagjeturit dhe nismat rajonale.
Delegacionin e Kosovës e ka udhëhequr zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë, Petar Petkoviq, drejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
Shefi i delegacionit të Serbisë ka thënë pas takimit se Beogradi ka insistuar që të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër.
Por, pala kosovare nuk ka pranuar që të bisedohet për këtë temë, prandaj duket se kjo edhe ka qenë arsyeja pse nuk ka pasur takim trepalësh.
Lajçak ka thënë përmes një postimi në Twitter se ka takuar ndaras palët dhe ua ka bërë të ditura pritjet e vendeve të BE-së.
“Është koha për përparim të vërtetë”, ka deklaruar ai. /Gazeta Enigma.
Today, I hosted the two Chief negotiators and their delegations for separate meetings on outstanding issues and the way forward in the Dialogue. I also briefed them on Monday’s FAC and reiterated the expectations of Member States. It’s high time for real progress. pic.twitter.com/3fgcB6pN8Y— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) November 16, 2021