Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ka njoftuar se në takimin që pati me emisarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kanë folur katër tema, ku sipas tij, e para plani i sekuencimit.
Bislimi tha se pala kosovare ka brengat e saj në draftet e deritanishme të emisarit Lajçak, që i ka dërguar palëve.
“Ne mendojmë që ai plan fillimisht është selektiv, lë anash disa provizione të rëndësishme të marrëveshjes bazike, në mënyrë të njëanshme iu kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes”, tha Bislimi.
Ai tha se në këtë drejtim, është tentuar që të ketë një takim trilateral, ku bashkë me palën serbe të vendosen të gjitha obligime që palët ndërmarrin nga marrëveshja bazike, por kjo sipas tij s’ishte e mundur.
“Kemi ecje tutje. Nuk ka pasur takim trilateral, pasi Lajcak ka menduar se kjo nuk mund të ndodhë në këtë fazë sepse nuk e garanton konkretizimin final të planit të zbatimit. Ne ia kemi listuar dhe dhënë me shkrim BE-së të gjitha kërkesat tona apo obligimet që mendojmë se duhet të bien mbi palën serbe dhe duhet të konkretizohen”, tha ai.