Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të marrin pjesë sot në takimin joformal në Tiranë, të ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në këtë takim do të diskutohet rreth procesit të Berlinit dhe takimit të radhës që do të mbahet në tetor në Tiranë, shkruan “Euronews Albania”.
Takimi informal do të mbahet në Vilën 30 dhe po aty do të zhvillohet në orën 13:00 edhe një drekë informale.
Në këtë takim nuk është planifikuar të ketë asnjë deklaratë apo konferencë, duke qenë se është informal.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Ndërkohë, sipas burimeve, Kosova do të përfaqësohet zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.
Kryeministri Kurti, sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, nga dje po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar. Për pasojë, nuk do të jetë në gjendje të jetë i pranishëm në këtë takim.