Bislimi: S’kemi interes t’i kontrollojmë mediat, vetëm po e rrisim transparencën në pronësi

Bislimi: S’kemi interes t’i kontrollojmë mediat, vetëm po e rrisim transparencën në pronësi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se projektligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave do të rrisë transparencën e pronësisë së mediave dhe se Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk ka për qëllim t’i kontrollojë ato përmes këtij projektligji.

“Mediat në Kosovë nuk kanë qenë të rregulluara, tash po vendoset rregulli në trajtimin e mediave online. Duhet të rregullohet konkurrenca e shëndosh në mes të participantëve në treg”, ka thënë ai në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ku po shqyrtohet në parim projektligjin për KPM-në.

“Çka më intereson t’i marrë në kontroll mediat në rast se nesër vjen dikush tjetër në pushtet. Në qoftë se mund të na shpjegoni hap pas hapi si po bëhet kapja e mediave online nga Qeveria e Kosovës përmes këtij projektligji”, ka pyetur ai ndërsa është kritikuar se ekzekutivi me këtë projektligj po dëshiron t’i kontrollojnë mediat.

I pyetur për nenin që obligon mediat t’i nënshtrohen licencimit shtetëror, Bislimi tha se edhe mediat online gjenerojnë të hyra përmes përmbajtjeve që prodhojnë.

Në të kundërtën, sipas tij, nëse mediat online nuk regjistrohen atëherë edhe bizneset e tjera mund të kërkojnë në të ardhmen të regjistrohen si organizata jo-qeveritare.

“Mediat Online pasojnë përmbajtje dhe qëllimi është gjenerimi i të hyrave, bizneset gjenerojnë të hyra. Dikush që operon si biznes a duhet të regjistrohet si biznes, kjo është pyetja. Sepse nesër edhe furrat mund të na thojnë pse nuk po na lejohet që edhe ne të regjistrohemi si OJQ”.

Bislimi ndër të tjera ka thënë se ky projektligj është në përputhje me direktivat evropiane.

Në Kosovë KPM deri më tani ka rregulluar televizionet, radiot dhe operatorët kabllor ndërkaq mediat e shkruara/online janë vetë-rregulluar nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – një praktik e përhapur gjithandej në rajon e Evropë.

Por, një gjë e tillë do të ndryshojë në momentin që iniciativa ligjore e hartuar nga ekzekutivi kosovar të hyjë në fuqi në Kuvend me votën e deputetëve.

Ngase mediat online, do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror e paraparë në nenin 24 të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.

Related Articles