Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim, Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me kongresmenin amerikan, William Keating, ku ka shprehur falënderimet për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, shkruan Enigma.
Bislimi veçoi mbështetjen që ka marrë vendi përmes Projektit të MCC-së, Programi Kompakt prej 236.7 milionë dollarësh, në bashkëpunim me SHBA-në.
Gjatë takimit, Bislimi dhe Keating diskutuan për progresin demokratik dhe rritjen ekonomike të Kosovës gjatë katër viteve të fundit. Zëvendëskryeministri theksoi indikatorët pozitivë makroekonomikë të vendit dhe perspektivën për një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Gjithashtu, Bislimi e informoi kongresmenin për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë aktin terrorist dhe sulmin ndaj kanalit “Ibër Lepenc”, i cili është sulmi i dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar në Banjskë më 24 shtator 2023. Ata diskutuan gjithashtu për procesin e dialogut dhe zhvillimet e tjera në këtë drejtim.
Në fund, Bislimi e falënderoi kongresmenin Keating për bisedën dhe takimin, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.