Një rast dhune ka ndodhur mbrëmë në fshatin Mushtisht të Suharekës, ku është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se ka ushtruar në vazhdimësi dhunë ndaj gruas. I dyshuari njihet edhe si problematik në fshat, çka e shtyri Policinë që të intervenojë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se rasti u zbulua pasi një qytetar njoftoi Policinë se i dyshuari E.M., po ushtron dhunë në familje dhe gruaja e tij është në rrezik. Me të marrë informatën, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin, teksa bashkëshortja e tij ka dhënë një deklaratë para zyrtarëve policorë.
Sipas informacioneve të para, viktima fillimisht nuk ka guxuar të jap deklaratë për shkak të frikës nga burri i saj, e më pas ka rrëfyer kërcënimet dhe dhunën që ka përjetuar nga i dyshuari, raporton sinjali.
Siç thonë të njëjtat burime, në shtëpinë e tyre, policia ka gjetur disa gëzhoja, çka ka ngritur dyshimet se burri i dyshuar posedon armë pa autorizim. Kjo ka bërë që të bëhet kërkesë për kontroll në këtë shtëpi, me ç’rast u gjetën dy armë e dhjetëra fishekë që u konfiskuan nga policia.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.