Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, është duke u shqyrtuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, shkruan Gazeta “Enigma”.
Pro këtij programi, në emër të grupit parlamentar të LVV-së, është deklaruar Armend Muja i cili ka thënë se janë rritur shpenzimet prej më shumë se 63 milionë euro që janë për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike.
Por shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, nuk u pajtua më këtë.
Ai në emër të partisë deklaroi se ka një dallim mes programit të qeverisë dhe buxhetit.
“Premtimet nuk janë të reflektuara në buxhet. Nuk do të ketë rritje të pagave as të pensioneve. Kemi një mos reflektim të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Qeveria mund të mos pajtohet por derisa është në fuqi duhet të respektuar. Ajo çka e karakterizon këtë buxhet është deficiti i lartë. Kjo rrezikon që në një periudhë të afërt të rritet borxhi publik dhe kjo i bie që rritja ekonomike prej 3 ose 4 për qind do të jetë vetëm për mbulimin e borxhit”, ka thënë Hamza.
Siç ka thënë ai nëse vjen rritja ekonomike prej borxhit publik, nuk është rritje e qëndrueshme ekonomike. ‘Nuk e përmban as programin e Qeverisë as kërkesat e qytetarëve. Nëse vazhdon rritja e borxhit do të identifikoheni si Qeveria që ka rritur më së shumti borxhin”.
Kritika pati edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë se kur merren krahasimet duhet të merret referencë viti 2019, e jo viti kur vendi përballej me pandemi.
Edhe Bajrami ka thënë se në buxhet nuk ka reflektim të programit dhe se nuk është as Banka Zhvillimore dhe Fondi Sovran, derisa ka kritikuar deputetin Muja, i cili tha se bizneset kanë kthyer besimin tek Qeveria. Bajrami ia ka përmendur këtu Mujës kontratën për tiketa ngjitëse dhe dhjetëra kontrata njëburimore të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ndërkaq, nga ora 14:00 do të vazhdojnë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.
Të hënën, më 2 gusht, po ashtu, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, ku pos pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës, pritet të debatohet lidhur me punën e 100 ditëve të para të Qeverisë Kurti./Gazeta Enigma.