Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, shkruan Gazeta Enigma.
Ky propozim është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
Një propozim i tillë ngjalli reagime të shumta si nga politikanët vendor dhe ata ndërkombëtarë.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar me njohësin e çështjeve ndërkombëtare Amir Shabani, i cili deklaroi se çdo kusht shtesë që i vendoset Kosovës është i pajustifikueshëm dhe i paarsyeshëm.
“Shteti i Francës e ka kushtëzuar këtë proces të vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS. Me të vërtetë është e pajustifikueshme dhe e paarsyeshme çfarëdo kushti shtesë që mund t’i vendoset Kosovës duke i bazuar ato nga mësimet që i kanë marrë gjatë heqjes së regjimit të vizave me shtetet tjera sidomos me këto të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Shabani.
Sipas tij të vetmit në Evropë janë qytetarët turq dhe ata të Kosovës, të cilët duhet të shpenzojnë kohë dhe para për procedurat rreth marrjes së vizave për të hyrë në zonën Shengen.
“Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian, e që kjo dëshmon se Kosovës i duhet perspektiva e qartë eurointegruese dhe liberalizimi i vizave, pasiqë kjo e fundit dëshmon se Bashkimi Evropian me të vërtetë e dëshiron Kosovën në familjen evropiane. Së bashku me qytetarët turq, qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në Evropë që duhet të shpenzojnë kohë dhe para duke aplikuar për viza për të hyrë në zonën Shengen të Evropës”, shtoi Shabani.
Shabani kujtoi se Kosova kërkesat i ka plotësuar në vitin 2018.
Ndër të tjera njohësi i çështjeve ndërkombëtare një veprim të tillë nga Komisioni Evropian e cilëson skandaloz.
“Nuk duhet harruar se në vitin 2018, Kosova i përmbushi të gjitha kërkesat që i ishin caktuar për të siguruar një regjim pa viza me Bashkimin Evropian, por Këshilli Evropian – i përbërë nga 27 shtetet anëtare – ende nuk e ka miratuar unanimisht rekomandimin për të vazhduar atë të lëshuar nga Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së. Thënë shkurt: veprimi i tillë është skandaloz nga Komisioni Evropian dhe shumë paradoksal, pasiqë qytetarët nga Venezuela mund të udhëtojnë pa viza në BE, por jo një qytetar i një vendi evropian”, përfundoi Shabani për Enigmën.
Çfarë është sistemi ETIAS që u propozua nga Franca?
ETIAS do të jetë një sistem i automatizuar IT i krijuar për të identifikuar çdo risk që lidhet me një vizitor të përjashtuar nga viza që udhëton në Zonën Schengen. Gjithë shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga viza, që planifikojnë të udhëtojnë në zonën Schengen, do të duhet të aplikojnë për autorizim udhëtimi përmes sistemit para udhëtimit të tyre.
Informacioni i mbledhur përmes sistemit, në respekt të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave do të mundësojë verifikim të avancuar të risqeve potenciale për sigurinë apo migrimin e parregullt.
Autorizimi ETIAS nuk është vizë.
Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sërish do të mund të udhëtojnë pa viza, por do t’u kërkohet, si kusht i detyrueshëm për hyrje në zonën Schengen,që të marrin një autorizim para udhëtimit të tyre.
Me qëllim që të vendoset nëse do të jepet apo refuzohet një kërkesë për të udhëtuar në BE, sistemi do të kryejë kontrolle të mëparshme dhe do të japë apo refuzojë autorizimin e udhëtimit. /GAZETAENIGMA/