Festa e 28 Nëntorit, Dita e Flamurit Kombëtar, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët kudo që ndodhen, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në Luginën e Preshevës, 28 Nëntori festohet me një ndjeshmëri të veçantë, duke pasur parasysh sfidat e komunitetit shqiptar në këtë rajon dhe përpjekjet e tyre për ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditave kombëtare. Pavarësisht sfidave politike dhe sociale, festa kthehet në një moment uniteti, ku shqiptarët e Luginës bashkohen për të nderuar historinë dhe heronjtë e kombit.
Përmes organizimeve kulturore, akademike dhe aktiviteteve festive, kjo ditë shndërrohet në një manifestim të krenarisë kombëtare dhe mbështetjes për të drejtat e shqiptarëve në rajon.
Në një intervistë për Gazetën “Enigma”, Ragmi Mustafi, kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Luginë që në çdo shtëpi të vendosin flamurin Kuq e Zi, sepse ky flamur është krenaria dhe historia jonë, nuk është thjeshtë një flamur por një simbol identiteti.
Gazeta “Enigma”: Cila është agjenda e organizimit të festës së 28 nëntorit në Luginën e Preshevës?
Ragmi Mustafi: “E para i bashka-ngjitem thirrjes së deputetit popullor Shaip Kamberi për një shtëpi një flamur ngase më 28 nëntor çdo shtëpi të vendos flamurin Kuq e zi në Luginë të Preshevës sepse flamuri është simbol i identitetit dhe nuk është thjeshtë vetëm shenjë por historia dhe krenaria jonë. Pavarësisht çfarëdo përballje dhe ndalese, pavarësisht ligjeve diskriminuese të tregojmë unitetin tonë kombëtar dhe njëkohësisht të japim një mesazh të rezistencës që të shndërrojmë këtë ditë në një reagim të fuqishëm qytetar pra një komb një flamur në çdo shtëpi në çdo dritare le të valoj në tërë Luginën”.
“Ndryshe Komuna e Preshevës në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar me Ambasadën e Shqipërisë kanë organizuar një koncert në Preshevë më 27 nëntor, përderisa do të ketë një pritje, një organizim modest ku do t’i përbashkoj në festën e 28 nëntorit nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë për herë të parë në Luginë të Preshevës”.
Gazeta “Enigma”: A ka ndonjë organizim nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me juve për Luginën?
Ragmi Mustafi: “Gjitha këto veprime janë bashkëpunime morale në kuptimin jo vetëm të festës, ka urime të ndërsjellta, ftesa të ndërsjellta dhe njëkohësisht koordinim të përbashkët për të parë më të mirën e mundshme”.
“Lugina e Preshevës mbetet vendi i vetëm i cili edhe më tej dënohet për shkak të përdorimit të flamurit”
Gazeta “Enigma”: Festa e 28 nëntorit në Luginë dhe pengesat që shfaqen nga shteti serb?
Ragmi Mustafi: “Mos të harrojmë Lugina e Preshevës mbetet vendi i vetëm i cili edhe më tej dënohet për shkak të përdorimit të flamurit, madje unë si kryetar i Këshillit atëherë edhe pas kryerjes së funksionit dy vjet më pas është hera e pestë që jam dënuar për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar më 28 nëntor”.
“Po e njëjta gjë është edhe për kryetarin e bashkësisë lokale të Rahovicës, bashkësisë lokale të Tërnocit, të cilët gjithashtu në vazhdimësi dënohen për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar. Më 28 nëntor edhe shumë personalitete tjera kanë qenë të përndjekur dhe të burgosur, të shantazhuar e të kërcënuar ashtu siç kemi qenë edhe ne për shkak të përdorimit të flamurit kombëtar në Luginë të Preshevës”.
“Andaj kjo datë për neve është shumë e rëndësishme, është vetekzistenca jonë, andaj ju bëj thirrje secilit në Luginë të Preshevës, secili që ndihet shqiptar të vendos flamurin kombëtar në shtëpinë e tij, në dritaren e shtëpisë së tij”.
Gazeta “Enigma”: A keni me vazhdua traditën e ngritjes së flamurit në shtëpinë e kulturës edhe këtë vit?
Ragmi Mustafi: “Unë besoj që po, besoj që është e domosdoshme sepse nga 7 republikat ish-Jugosllavisë vetëm Serbia ndalon me ligj përdorimin e flamurit kombëtar, nuk gjen rast tjetër diku ku për shkak të përdorimit të flamurit të përdjeken për kundërvajtje apo të përndjekjen politikisht ata të cilët duhet të identifikohen me të sepse thash edhe më parë të flamurit kombëtar nuk është vetëm një shenjë nuk është vetëm një flamur për ne është flamuri i Lirisë, është vet ekzistenca jonë, janë vet shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
Gazeta “Enigma”: A mendoni se Policia e Serbisë ka me ju penguar në zhvillimin e aktiviteteve?
Ragmi Mustafi: “Sigurisht që po, ata do të kryejnë punën e vet, por e jona është për t’a kryer detyrën tonë kombëtare. E detyra jonë kombëtare është për ti lënë brezat më pas atë dashurin për atdheun, për Luginën e Preshevës dhe dashurin për kombin, dashurin për flamurin, dashurin për jetën sepse Lugina e Preshevës do të mbetet shqiptare”.
Gazeta “Enigma”: Mesazhi juaj për qytetarët e Luginës, Qeverinë shqiptare dhe atë serbe?
Ragmi Mustafi: “Serbia duhet të i ndryshoj ligjet se ne flamurin nuk e ndryshojmë dot, nuk ka shqiptarë që e ndërron ose e ndryshon në Luginë të Preshevës flamurin kombëtar”.
“Republika e Shqipërisë i kërkojë që t’i përbashkohet mbështetjes buxhetore, krijimit të linjës buxhetore siç e ka krijuar Republika e Kosovës dhe të krijojmë mekanizma të përbashkëta në mbrojtje të identitetit kombëtar në Luginë të Preshevës”.
“E shqiptarët e Luginës të tregojnë rezistencën pa ekuivote për të treguar se çfarë janë shqiptarët e vërtet”. /Gazeta Enigma/