Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, sot doli me një vendim për konsumatorët që janë të kyçur ilegalisht në sistemin publik të ujësjellësit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me zëdhënësen e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në “Prishtinë”, Arieta Mjeku Azizi, e cila ka dhënë detaje për mënyrën e dënimeve ndaj konsumatorëve që furnizohen me ujë duke shfrytëzuar alternativa ilegale.
“Fillimisht do të bëhet shkyçja nga sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm. Pastaj varësisht nga rasti se çfarë kyçje ilegale i procedojmë edhe në gjykata”, ka Mjeku për “Enigmën”.
Tutje nga kjo kompani kanë paralajmëruar se furnizimi me ujë të pijshëm po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga kyçjet e paautorizuara, nga ata konsumatorë që furnizohen me ujë duke shfrytëzuar alternativa ilegale.
“Besoni ose jo, furnizimi me ujë të pijshëm po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga kyçjet e paautorizuara, nga ata konsumatorë që furnizohen me ujë duke shfrytëzuar alternativa ilegale”, thuhet në njoftimin e tyre.
Për këtë, KRU Prishtina sot ka paralajmëruar një aksion të paparë deri më tani për keqpërdoruesit e ujit.
“Andaj, sot e tutje do jemi pa kompromis ndaj atyre që me vjet marrin ujë pa paguar për shërbime të ujit, e aq më keq kur sot kemi blloqe banesore që as nuk janë regjistruar edhe pas dhjetëra vërejtjeve që u kemi bërë”.
Sipas tyre nga sot do të realizohen dy shkyçje të mëdha, nuk do të ketë ujë për ata që nuk paguajnë fatura dhe padyshim do të ketë shkyçje edhe për ata që kanë shfrytëzuar alternativa të tilla.
“Nga sot zero tolerime për konsumatorët e kyçur ilegalisht në sistemin publik të ujësjellësit. Sot realizohen dy shkyçje të mëdha. Nuk ka ujë të pijshëm, pa paguar faturat e ujit dhe as për ata që kanë shfrytëzuar alternativa ilegale. Nga sot, në aksion të paparë deri më sot”, thuhet në njoftimin e tyre. /GAZETA ENIGMA/