Çfarë parasheh marrëveshja për armëpushim 30-ditor SHBA-Ukrainë?

Çfarë parasheh marrëveshja për armëpushim 30-ditor SHBA-Ukrainë?

Ukraina është pajtuar me propozimin e Uashingtonit për një armëpushim 30-ditor me Rusinë, pas bisedimeve Ukrainë- SHBA, që rezultuan po ashtu me rënien dakord nga SHBA-ja për rikthimin e ndihmës ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën.

Pas më shumë se tetë orësh negociatash me zyrtarët ukrainas në Jeddah të Arabisë Saudite të martën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se SHBA-ja tani do ta çojë ofertën e nënshkruar bashkërisht në Rusi dhe se topi tani është në anën e Moskës.

Për çfarë është marrëveshja?

Ukraina ka shprehur gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të miratuar një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë në një videofjalim të natës të martën se SHBA-ja ka propozuar një armëpushim të plotë të përkohshëm, ndalimin e sulmeve me raketa, dronë dhe bomba, jo vetëm në Detin e Zi, por edhe përgjatë gjithë vijës së frontit.

“Ukraina është e gatshme ta pranojë këtë propozim, ne e shohim atë si një hap pozitiv dhe jemi të gatshëm ta ndërmarrim atë”, është shprehur Zelensky.

Për çfarë tjetër janë pajtuar palët? 

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të heqin menjëherë pauzën për shkëmbimin e inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën. Zyrtarët ukrainas kanë thënë vonë të martën se ndihma dhe shkëmbimi i inteligjencës kanë rifilluar.

Në deklaratën e përbashkët të së martës, të dy vendet kanë thënë se kanë rënë dakord të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e burimeve minerale kritike të Ukrainës.

Marrëveshja për mineralet ka qenë në diskutim për javë të tëra mirëpo është hedhur në harresë pas një takimi të ashpër në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka qenë prej kohësh një skeptik për ndihmën në Ukrainë, dhe Zelenskyt.

Të dyja palët kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e përpjekjeve të ndihmës humanitare si pjesë e procesit të paqes, veçanërisht gjatë armëpushimit, duke përfshirë shkëmbimin e robërve të luftës, lirimin e të burgosurve civilë dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të transferuar me forcë.

Të dyja palët kanë rënë dakord po ashtu të emërojnë ekipet e tyre negociuese dhe të fillojnë menjëherë negociatat e paqes.

Çfarë ka ndodhur tjetër?

Marrëveshja i nënshtrohet pranimit dhe zbatimit të njëkohshëm nga Rusia. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se do ta çonin marrëveshjen në Moskë.

Këshilltari për sigurinë kombëtare i Trumpit, Mike Waltz, do të takohet me homologun e tij rus në ditët në vijim teksa i dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff planifikon të vizitojë Moskën këtë javë për të takuar Putinin.

Trumpi ka thënë se ai mund të flasë me Putinin këtë javë dhe shpreson se një armëpushim afatgjatë do të negociohet në ditët në vijim.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë pas bisedimeve SHBA-Ukrainë të martën se nuk përjashton kontaktet me përfaqësuesit e SHBA-së. 

Sipas kësaj ministrie qëndrimi i shtetit rus për propozimin amerikan për armëpushim me Ukrainën do të vendoset “brenda shtetit dhe jo jashtë tij”.

“Qëndrimi i Federatës Ruse s’mund të përcaktohet jashtë shtetit, për shkak të disa marrëveshjeve apo përpjekjeve të disa palëve”, ka thënë Maria Zakharova, zëdhënëse e MPJ-së ruse, raporton agjencia shtetërore ruse TASS. “Qëndrimi rus mund të vendoset vetëm brenda Federatës Ruse”.

Related Articles