Kuvendi i Kosovës, e ka miratuar të mërkurën në lexim të parë, Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar, i njohur si IVF, pas katër përpjekjeve të dështuara që ky projektligj të miratohet raporton Gazeta Enigma.
Në votim morën pjesë 63 deputetë nga 85 sa ishin në sallë. 58 votuan për, një kundër dhe katër abstenuan.
Projektligji ishte kundërshtuar ashpër disa herë me rradhë nga një pjesë e deputetëve.
Lidhur me këtë, për Gazetën Enigma, kanë folur deputeti Eman Rrahmani ku tregoi arsyet e kundërshtimit të projekligjit dhe Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNj).
Çka është IVF – Pika kryesore e këtij projektligji?
Fertilizimi in vitro (IVF), është teknika e frytnimit të asistuar mjekësor me fekondimin e qelizës vezë me gametin mashkullor që bëhet jashtë organizmit të gruas, pra në laborator, procedurë e cila rezulton me embrion që më pas transferohet në mitër, me qëllim të implantimit dhe të zhvillimit të tij në fryt.
Pra, përmes kësaj procedure, ekipi mjekësor heq vezët nga vezoret e një gruaje dhe më pas i fekondon ato me spermë në laborator. Embrionit të fekonduar i jepen disa ditë për t’u rritur dhe më pas ai vendoset në mitrën e gruas.
Sipas projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.
Aktualisht, kjo metodë kryhet vetëm në institucionet private.
Pse disa nga deputetët janë kundër miratimit të këtij projektligji?
Deputeti nga rradhët e LVV-së, Eman Rrahmani, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka treguar arsyet se pse është kundër këtij projektligji.
Ai ka thënë se do të paraqesin amandamentet e tyre që në votimin e dytë të largohen nenet e mëposhtme që sipas tij cenojnë rëndë familjen, kulturën dhe traditën shqiptare.
Nenet në fjalë janë:
“Neni 8
9.Çdo burrë mbi 23 vjeç ka të drejtën e sterilizimit pa lejen e Komisionit për vlerësim mjekësor në institucionin shëndetësor përkatës.
Neni 10
4. Fertilizimi i asistuar mjekësor është e drejtë edhe e gruas së pamartuar.
Neni 15
3.Të drejtë shfrytëzimi të FAM, ka edhe gruaja e pamartuar, mbi 18 vjeç, e cila sipas moshës dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore dhe sociale është e aftë për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”, janë nenet që ka theksuar Rrahmani.
Ai për Enigmën ka treguar se pse është kundër neneve të cekura të Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizues.
“Një njërën prej neneve thuhet se fertilizimi i asistuar mjekësor është e drejtë edhe e gruas së pamartuar. E dyta, thotë se të drejtën e kanë edhe gratë e pamartuara mbi moshën 18 vjeç dhe pika e tretë e cila është shumë problematike, thotë se çdo burrë mbi moshën 23 vjeç ka të drejtë të sterilizimit pa lejen e komisionin shëndetësor. Këto tri pika janë që ne i kemi kundërshtuar si deputetë”, ka thënë Rrahmani.
Tutje, deputeti i LVV-së, ka thënë se është kundër projektligjit pasi fëmijeve i pamundësohet që të e njoh prindin e vet.
“Ajo për çfarë unë mendoj janë të dëmshme dhe nuk i kontribuojnë shoqërisë është se për shkak se kemi pa procese të tilla që kanë prish familjen dhe kanë qenë të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi. Me këtë ligj të ri që po provohet të kalohet iu mundësohet një vajze 18 vjeçare përmes një donacioni që nuk dihet as kush është dhe as nga vjen. Përmes spermatozoidit të atij donatori një vajzë 18 vjeç të kryej procesin e fertilizmit dhe të lindë fëmijën, të cilit i pamundësohet edhe ligjërisht ta njohë kush është baba apo prindi”, ka thënë Rrahmani.
Rrahmani ka theksuar edhe rrezikun e shtimit të rasteve të incestit.
“Kjo ndikon që në të ardhmen të kemi inceste, pasi ne jemi një vend shumë i vogël. Edhe natyrisht një fëmijë i lindur në këtë mënyrë, dhuruesi nëse ka qenë prej Kosovës mund të ketë familjen me gruan dhe që ka fëmijë të tjerë dhe këta dy mund të takohet dhe të martohen. Zakonisht dhuruesit janë të njëjtë dhe kemi raste në Holandë, që kanë lind mbi 400 fëmijë prej një dhuruesi, nëse ndodhë kjo në Kosovë, atëherë detyrimisht i dërgojmë drejt incestit”, ka shtuar Rrahmani.
“Deputetët të votojnë në bazë të vullnetit dhe vlerësimit të tyre pa iu nënshtruar asnjë presioni”
Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNj), në një prononcim për Gazetën Enigma, ka theksuar faktin që projektligji në fjalë është miratuar në lexim të parë si rrjedhojë e presionit që kanë pasur deputetët në lidhje me të.
“Ky ligj ka kaluar në leximin e parë pas një presioni të madh që iu është bërë deputetëve që e kanë kundërshtuar këtë ligj, si atyre të pozitës ashtu edhe të opozitës. Deputetëve të pozitës iu ka bërë presion subjekti i tij, presion i brendshëm dhe përmes mediave që ka qenë presion i jashtëm. Deputetët nuk e pranojnë botërisht këtë kërcënim duke e arsyetuar vetëm si rekomandim për përmbushje të disiplinës partiake dhe institucionale”, ka thënë Shala.
Sipas tij, është tejet e rëndësishme që në leximin e dytë, deputetët të votojnë sipas vullnetit të tyre.
“Ne si KMDLNj jemi që deputetët të votojnë në bazë të vullnetit dhe vlerësimit të tyre pa iu nënshtruar asnjë presioni. Çdo presion që është në kundërshtim me vullnetin dhe mandatin e deputetit, të fituar me votë e jo me emërime, ne e konsiderojmë si shkelje e të drejtave të njeriut dhe shkelje të mandatit të deputetit”, ka theksuar Shala.
Kujtojmë se nga Ministria e Shëndetësisë është mirëpritur ky projektligj, ku ministri Arben Vitia, ka theksuar nevojshmërinë e fertilizimi të asistuar në institucionet publike, me që rast, ka përmendur edhe kostot e larta që shpenzojnë qytetarët në klinika private e jashtë vendit për të zhvilluar këtë process.
“Shumëkush ka kaluar nëpër përvojën e mundimshme dhe të kushtueshme të fertilizimit të asistuar, IVF. Udhëtimet e shpenzimet janë kaq të mëdha saqë shumë familje kanë shpenzuar të gjitha kursimet e tyre, e jo rrallë edhe pronat, vetëm për ta siguruar këtë trajtim”, ka deklaruar Vitia. /Gazeta Enigma