Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti aktivitetet e tij në kuadër të Konferencës së Mynihut e filloi me takimin me Komisionierin për Bugjet dhe Administrim Johannes Hahn me të cilin ka biseduar për mundësitë e financimit për Kosovën.
Johannes Hahn është i njohur në Kosovë dhe në gjithë rajonin. Ai ka ardhur shpesh në Kosovë sa ishte në postin e Komisionerit për Zgjerim. Hahn ishte sulmuar ashpër nga ish -Presidenti Thaçi në vitin 2017, i cili kishte thënë se ai “kujdeset vetëm për Serbinë teksa e kishte sulmuar komplet BE’në për mungesë vizioni dhe guximi në raport me Ballkanin.
Tash austriaku mban postin e Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë. Në takimin me kryeministrin Kurti, ky i fundit i ka kërkuar më shumë ndihmë për Kosovën.
Kurti i shoqëruar nga Gërvalla ka takuar Hahnin në ditë e parë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit “ringjallja ekonomike, sistemi dual i arsimit, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe liberalizimi i vizave ishin pikat qendrore të diskutimit përgjatë takimit.”
“Kryeministri Kurti tha se Kosova ka shënuar përmirësim të madh të indikatorëve ekonomikë gjatë vitit të kaluar. Ekonomia e vendit i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë të mirë, tha kryeministri. Të hyrat vjetore janë rritur, qarkullimi vjetor i bizneseve është rritur, gjithashtu eksportet dhe investimet e huaja” citohet Kurti
“Në lidhje me bashkëpunimin rajonal, përkatësisht Tregut të Përbashkët Rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbështet Procesin e Berlinit dhe se Tregun e Përbashkët Rajonal e sheh si platformën e duhur dhe të vetme që mundëson zbatimin e plotë të katër lirive të Bashkimit Evropian. Ai tha po ashtu se bashkëpunimi rajonal si premisë duhet gjithmonë të ketë trajtimin e barabartë dhe reciprok në mes të gjitha palëve të përfshira” ka shtuar Kryeministri.
Kurti i ka thënë Hahan se mos liberalizimi tanimë është e drejtë e mohuar për Kosovën duke shtuar se “përmirësimet në indikatorët ekonomikë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe politikat reformiste në sistemin e drejtësisë dhe administratë publike e bëjnë Kosovën më meritore për mbështetje edhe më të madhe financiare nga Bashkimi Evropian”.
Sipas njoftimit të ZKM, Komisioneri Hahn tha se Bashkimi Evropian, përveç tjerash do të përkrahë teknikisht dhe financiarisht në projektet për arsim dhe aftësim profesional.
Ndryshe, Hahn ka qenë në thumb të kritikave gjatë vitit 2017 nga Presidenti Hashim Thaci.
“Bashkimit Evropian i mungon aktualisht vizioni dhe guximi”, kishte thekusuar Presidenti i Kosovës në një intervistë për Agjencinë Austriake të Lajmeve (APA).
Presidenti i Kosovës ishte shfaqur i ashpër veçanërisht ndaj asokohe Komisionerit për Zgjerim Hahn derisa e kishte lëvduar Mogherinin.
“Ndërkohë që Federica Mogherini po përpiqet të paktën të ruajë dinamikën e raporteve me Ballkanin Perëndimor, Komisoneri Hahn, për fat të keq, nuk është fare prezent atje”.
“Komisioneri Hahn është përkujdesur vetëm për Serbinë dhe për asnjë vend tjetër në Ballkanin Perëndimor” kishte thënë ai.