Cilat janë simptomat dhe si të mbrohemi nga “ethet e minjve”, flasin ekspertët shëndetësor

Cilat janë simptomat dhe si të mbrohemi nga “ethet e minjve”, flasin ekspertët shëndetësor

Për çdo vit në Kosovë paraqiten raste sporadike me “ethet e minjve”, të cilat sipas ekspertëve shëndetësor, më së shpeshti paraqiten në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe atë të Shalës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në kohën kur vendi po ballafaqohet me një valë të re të COVID-19, infektologu Salih Ahmeti, tregon se a mund qytetarët të infektohen në të njëjtën kohë edhe me ethet hemoragjike, që ndryshe njihen si “ethet e minjve”.

Ahmeti, ka bërë të ditur për Gazetën “Enigma”, se në dy vitet e fundit kur vendi jonë është duke u përballur me virusin COVID-19, rastet me ethet hemoragjike janë më të rralla.

“Fatmirësisht, deri më sot nuk kemi pasur raste që një pacient të infektohet në të njëjtën kohë me COVID-19 dhe me ethet hemoragjike. Kur një person i infektuar me ethet hemoragjike ekspozohet në ambient ku mund të ketë kontakt me personat të infektuar me COVID-19, ai rrezikon të infektohet në të njëjtën kohë edhe me këtë virus”, ka thënë Ahmeti

Sipas tij, në raste të tilla pacienti rrezikon që t’i përkeqësohet gjendja shëndetësore.

“Ethet hemoragjike janë një sëmundje shumë e rëndë, po ashtu edhe COVID-19 në raste të veçanta, megjithatë mekanizmat e veprimit të tyre janë të ndryshëm dhe veprojnë të ndara nga njëra tjetra, por infeksioni me dy viruset natyrisht i shton gjasat për përkeqësimin e sëmundjes”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai po ashtu ka treguar se si dallohet COVID-19 nga ethet hemoragjike.

“Ethet hemoragjike si sëmundje prek enët e gjakut duke shkaktuar një sindromë hemoragjike e gjenaralizume, dhe veshkat në shkallë të ndryshme që në raste të rënda i qon deri në bllokim total, ndërsa COVID-19 në rradhë të parë prek mushkërit dhe organet tjera duke dhën tentime sistenike”, ka bërë të ditur infektologu Ahmeti.

Moshat më të prekura në Kosovë me këtë epidemi, sipas tij janë moshat 20 – 40 vjeç.

Simptomat e personave që infektohen me ethe të minjve

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka bërë të ditur se pacientët e infektuar me këtë virus në mes të tjerash ndihen të lodhur e kanë probleme hemorragjike.

“Kanë lodhje, plogështi, ethe, dhimbje të shpinës, pengesa në urinim, dhimbje gjatë urinimit, manifestime hemoragjike të hundës e gjakderdhje gjatë urinimi”, ka thënë ai.

Ndëkohë, Vishaj, ka bërë të ditur se momentalisht nuk kanë pacientë aktiv me infektimin e etheve të minjve.

“Rasti i parë i infektimit ka qenë një 8-vjeçar, i cili është shëruar ndërsa për momentin gjendja është stabile, nuk kemi raste të tjera me ethet hemoragjike”, ka thënë ai.

Siç ka bërë të ditur ai, i infektuar me ethet e minjve kishte qëndruar një javë në Bjeshkët e Deçanit të cilat janë endemike për ethe të minjve, dhe se infeksioni i fëmijët kishte ardhur nga rënia në kontakt me zonat e kontaminuara me sekrecione të brejtësve.

Si ta parandalojmë infektimin me ethet e minjve, sipas IKSHPK-së

Ndërkohë ditë më parë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruhen ushqimet nga minjtë, duke mos përdorur fruta mali të palara.

Sipas IKSHPK-së, përdorimi i tyre pa i larë, mund të shkaktojë ethet e minjve.

“Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjepruese. Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë.

Ndërkaq, sipas institutit nëse të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat.

Disa nga masat parandaluese sipas IKSHPK-së janë: Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane, ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve, përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë, mos konsumimi i frutave të pyllit pa u pastruar, etj. /Gazeta Enigma.

Related Articles