Rusia ka hyrë në ditën e shtatë që kur e ka filluar agresionin ndaj Ukrainës, ndërsa ditën e pestë zyrtarët e të dy shteteve pranuan që t’i nisin negociatat të cilat nuk rezultuan produktive, shkruan Gazeta Enigma.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi në një prononcim për Gazetën Enigma, ka thënë se Rusia hyri në negociata me Ukrainën për shkak se nuk i arriti synimet e saja strategjike.
“Kjo është vetëm zvarritje, por në fakt Rusia më tepër mer kohë vetëm për të arritur strategjinë e pikave kyqe, të cilat edhe i ka synuar me doktrinën e vet. Deri tash nuk i arriti ato synime strategjike, prandaj hyri në bisedime”, tha Ibishi.
Sipas Ibishit, Kosova duhet të jetë e fokusuar në kapacitetet mbrojtëse edhe kërkesat për pranim në NATO, ai vlerëson se duhet të shtohet edhe mbikëqyrja në pjesën e kufizimit me Serbinë.
LEXO EDHE: A duhet të lejohen kosovarët të luftojnë për Ukrainën, ligji aktual parasheh dënim deri në 15 vjet
Tutje, Ibishi thotë se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë në fazën e tranzicionit, derisa thekson se ata kanë bërë edhe strukturimin e njësive luftarake regjimente që tregon një performanc të shtuar në kuptimin e veprimit luftarak.
“Janë pajisur me mjete, kanë rritur kapacitete edhe të burimeve njerëzore dhe kanë kryer trajnime të duhura për të qenë conform standardeve të NATO-së. Por, është edhe çështja tjetër e ngritjes së kapaciteteve në kuptim të Policisë, e cila ndërvepron sidomos kur ka të bëjë me mbikëqyrjen e kontrollove shtetëror”, tregoi ai.
Drizan Shala, ekspert i sigurisë tha për Gazetën “Enigma” se FSK mund të merr pjesë vetëm me komponenten e saj të kërkim shpëtimit duke ndihmuar ndonjë forcë në këtë fushë.
“Sa i përket komponentes ushtarake mund të themi që FSK është në fazen e kompletimit të kapaciteteve bazuar në planin e tranzicionit në ushtri me gjitha parametrat standarte të NATO-së”, tha Drizan Shala.
Ibishi, tha se Kosova në përgjithësi ka kapacitete të kufizuar për ta ndihmuar Ukrainën, mirëpo sipas tij shteti ka mundësi për t’i dalë në ndihmë popullit ukrainas vetëm në aspektin humanitar, të pranimit të refugjatëve dhe pranimin e gazetarëve për strehim.
Autoritetet ukrainase sot kanë bërë të ditur se më shumë se 2000 civilë janë vrarë deri më tani në pushtimin e Rusisë. Ndërsa, rreth 836 mijë qytetarë e kanë lëshuar Ukrainën.
Këto detaje i ka dhënë Agjencia e Refugjatëve e Kombeve të Bashkuara.
Shumë prej tyre janë larguar drejt Polonisë, e cila ka pranuar mbi 540 mijë veta deri më tani. /Gazeta Enigma/.