Kanë mbetur fiks edhe tri javë, deri tek afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Ndonëse menjëherë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk pati ndonjë lëvizje, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të hënën u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Takimi zgjati rreth dy orë, por pas tij nuk u tha ndonjë gjë konkrete.
Kurti pas takimit ka deklaruar se disa pika të takimit do të mbesin konfidenciale, pa treguar se në çfarë drejtimi është diskutuar për pozitën e presidentit.
“Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse ato nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë tjera, është e vështirë që të paramendohet një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona dhe me po të njëjtat zotime kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe”, ka thënë Kurti pas takimit.
Kurti po ashtu paralajmëroi takime edhe me Bedri Hamzën, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është raportuar për ndonjë ftesë apo takim.
Gazeta Enigma nisi pyetje drejt kësaj partie lidhur me këtë çështje dhe nëse do ketë takim, por nuk mori përgjigje.
E, Abdixhiku ka thënë pas takimit se palët po përpiqen të arrijnë deri te një zgjidhje.
“Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët, konsensuale, me takime. Kjo është rruga që duhet ndjekur përpara. Do ta ndjekim këtë rrugë sa herë që mundemi për t’i shmangur zgjedhjet”.
I pyetur nëse LDK-ja pati emra konkretë për pozitën e presidentit, ai tha se palët “nuk kanë arritur ende në atë fazë”.
“Dy-tri orë bisedo e asgjë mos konkludo”
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha për Gazetën Enigma se nga takimet nuk po shohim rezultate.
“Po shohim një qasje thuajse të ngjashme, me bllokadën e vitit të kaluar, me këtë sjellje të partive politike. Nuk ka kohë për të humbur askush. Me këto takime dy-tri orë bisedo e asgjë mos konkludo, mendoj se ose nuk janë serioz sa duhet, ose nuk e kanë kuptuar përgjegjësinë që kanë dhe nuk janë të përgjegjshëm se duhet”, deklaroi Baraliu.
“Kurti do duhej të takohej edhe me AAK-në”
Profesor Baraliu tha se Kurti do të duhej të takohej edhe me partinë e tretë me radhë, AAK-në.
“Nuk duhet të margjinalizohen, edhe ata janë deputetë. Nëse sigurohen 5 apo 6 në një marrëveshje interesi, nuk ka asgjë të keqe. Është pothuajse gjysma e punës. Do duhej të merrej më seriozisht dhe më intensivisht të ketë biseda, në mënyrë që të ketë një zgjidhje dhe të merren vesh, qoftë me LDK-në, PDK-në apo AAK-në”.
Baraliu tha se shkuarja në zgjedhje është e dëmshme dhe me pasoja të rënda, për çdo qytetar, për çdo subjekt politik dhe për shtetin e Kosovës.
Sa i përket deklaratës së Kurti që shkaktoi reagime, duke thënë se duhen 84 apo 85 vota për zgjedhjen e presidentit, Baraliu tha se kjo deklaratë nuk do duhej të thuhej.
“Nuk duhet ta kishte thënë atë, pasi i duhen vetëm 80 deputetë. Por duhet të punoj që të mos ndodhë ndonjë befasi e pakëndshme. Ai e tha këtë për shkak të pasigurisë, edhe nga deputetët e tij, pasi që i ka edhe disa deputetë të partisë “Guxo”, të cilët janë deklaruar se do ta votonin Vjosa Osmanin për presidente dhe jo dikë tjetër. Mbase edhe deputetët e vetë nuk e votojnë këdo. Si dhe partitë e tjera nuk mund t’i detyrojnë deputetët që të votojnë. Megjithatë, kjo është diçka në të cilën duhet të punohet dhe jo të bëhen kërkesa të tilla. Nuk ka nevojë për 84-85 deputetë”, u shpreh në fund profesori universitar.
“Është në dorën e PDK-së dhe LDK-së, për të propozuar emër”
Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, për “Enigmën” thotë se takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut, ka dhënë një shenjë se Vetëvendosje, “në njëfarë mënyre ka pranuar të tërhiqet nga dy propozimet e tanishme dhe ky është një lajm i mirë”.
Megjithatë, ai thotë se është në dorën e LDK-së dhe PDK-së, të propozojnë një emër konkret dhe mundësisht jo një emër partiak.
“Nëse përfundon afati, fatkeqësia është që vendi duhet të shkojë në zgjedhje, dhe zgjedhjet nuk janë zgjidhje, sepse nuk pres që rezultati të ndryshojë shumë. Ne do të kemi një cikël të vazhdueshëm të krizave institucionale, për zgjedhjen e presidentit”.
“Është radha që LVV t’i drejtohet PDK-së me një ftesë për takim. PDK duhet të reflektojë karshi kësaj lëvizje të Kurtit, pasi që vetë tha se pret një emër konkret nga partitë opozitare. Tani mvaret nga emrat që vijnë për t’u diskutuar”, deklaroi Drenori për Gazetën Enigma.
“PDK-së nuk i duhen zgjedhjet e reja – LDK mund të rritet me Osmanin”
Drenori tutje tha se është e panevojshme për PDK-në të shkohet në zgjedhje, pasi nuk ka ndonjë lëvizje në elektorat.
Sa i përket LDK-së, ai tha se mund të ketë një rritje, nëse Vjosa Osmani bashkohet në garë.
Ndërkohë, për AAK-në, Drenori thotë se mund të rrezikohet kalimit i pragut.
Kur përfundon afati?
Në aktgjykimin e publikuar më 25 mars, Gjykata Kushtetuese i dha kohë edhe 34 ditë deputetëve, për emërimin e presidentit të ri.
Kjo i bie se afati i fundit është data 28 prill.
Sipas vendimit, pas shpërndarjes ‘ex constitutione’ (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. /GAZETA ENIGMA
