Gjatë ditës së sotme u raportua se dy nga kandidatët për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale, Përparim Rama, kandidat për Prishtinë, dhe Sibel Halimi për Ferizaj, patën probleme me certifikimin e tyre në KQZ, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ndonëse në rastin e Ramës u tha se ai nuk kishte aplikuar me letërnjoftim të Kosovës, por të UNMIK-ut, një konstatim i tillë u mohua nga LDK-ja.
Anëtari i KQZ-së, nga ana e LDK-së, Florian Dushi në një deklarim për Gazetën “Enigma”, tha se Rama ka aplikuar me letërnjoftim të Kosovës, porse problemi ka qenë tek ekstrakti i lindjes.
“Jo, z.Rama nuk është e saktë që ka aplikuar me letërnjoftim të UNMIK-ut, ai ka aplikuar me atë të Kosovës, por problemi qëndron tek ekstrakti që ne e kemi marrë prej MPB-së, si KQZ, dhe aty ka figuruar, çuditërisht pa ndonjë shpjegim se ai ka vetëm letërnjoftim të UNMIK-ut. Ndërkohë z.Rama ka ofruar kopjen e letërnjoftimin dhe konsideroj që tashmë është gjithçka në rregull”, theksoi ai.
Dushi, mes tjerash ka mohuar edhe raportimet se kandidatja e tyre për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi nuk është banore e kësaj komune dhe se nuk do të lejohet t`i futet garës.
Dushi ka thënë për “Enigmën”, se problemi ka qenë të mos lëshimi i dokumenteve nga MPB.
“Sibel Halimi është banore e Ferizajt, por problem është i mosprodhimit të letërnjoftimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në ekstraktin e ri që do të marrim do të reflektojnë ndryshimet”, tha Dushi.
Në fund ai tha se të dy problemet do të sqarohen shumë shpejt, dhe me koordinim të organeve kompetente nuk do të krijohen probleme në kandidaturat e tyre.
Por, sipas KQZ-së ajo nuk është banore e Ferizajt dhe kështu nuk mund të garoj për kryetare.
“17. Kandidati për Kryetar Komune për Komunën e Ferizajt nuk është banor i Komunës së Ferizajt”, thuhet në dokumenti e KQZ-së që ka siguruar “Enigma”.
“Duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë. Kjo është një mundësi që e jep Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale, që subjektet politike të paraqesin përmirësimet/korrigjimet brenda afatit të caktuar nga Zyra”, tha ai.
Elezi bëri të ditur se kjo zyrë ka zhvilluar komunikim të tillë me të gjitha partitë politike, te të cilat është evidentuar ndonjë gabim/mungesë dokumentacioni që duhet të përmirësohet/korrigjohet.
“Pas kësaj faze, si dhe pasi të përmbyllim procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për certifikim ose jo të ndonjë kandidati. Si gjithmonë, mbledhjet janë të hapura për mediat dhe do të mund të përcjellin procesin e vendimmarrjes së KQZ-së”, përfundoi ai./Gazeta Enigma.