Çka thanë mbrëmë presidentja Osmani e kryeministri Kurti për Urën e Ibrit?

Çka thanë mbrëmë presidentja Osmani e kryeministri Kurti për Urën e Ibrit?


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë dhënë sërish qëndrimet e tyre në dy mediume të ndryshme, për Urën e Ibrit, shkruan Gazeta Enigma.

Ata u shfaqën në një linjë sa i përket hapjes së Urës.

E para e shtetit tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.

“Hapja duhet të bëhet siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën”, deklaroi presidentja Osmani për Evropën e Lirë.

Por ajo theksoi se Kosova ka duhet të ketë edhe ‘aminin’ e ndërkombëtarëve.

Presidentja Osmani tha se “ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe hapja e saj është vonuar për tetë vjet me radhë. Çdo herë kur Kosova, në historinë e saj, ka bashkëpunuar me partnerët, çdo herë ka pasur sukses”, theksoi Osmani.

Ajo tha se lidhur me këtë çështje ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para një muaji.

Sipas Osmanit, rihapja e temës së urës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e rrezikshme.

“Kjo çështje ka përfunduar sa i përket dialogut me Serbinë, por duhet të ketë koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me NATO-n”.

Presidentja theksoi se koordinimi brenda Kosovës me aleatët do të ndikonte edhe në rrafshin ndërkombëtar, dhe do të rriste besimin dhe entuziazmin për të ndihmuar Kosovën edhe në rrafshin e njohjeve të reja dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Kurse Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ura e Ibrit duhej të ishte hapur që pas çlirimit të Kosovës, duke shtuar se vonesa për hapjen e saj është e pajustifikueshme.

Sipas tij, vërejtjet e ndërkombëtarëve për këtë çështje po merren në konsideratë, por theksoi se hapja e urës është një nevojë urgjente.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kurti u shpreh se Evropa ka shembur të gjitha muret ndarëse, dhe se edhe Ura e Ibrit duhet të hapet. “Hapja e urës është një veprim i domosdoshëm për të gjithë qytetarët, pa përjashtim,” tha Kurti.

Kryeministri theksoi se shteti është shumë vonë në hapjen e urës, duke përmendur se ajo duhej të ishte hapur që kur Kosova u çlirua 25 vite më parë, kur u shpall pavarësia 16 vite më parë, dhe më pas sipas marrëveshjes së Brukselit tetë vite më parë.

Ai shtoi se hapja e urës do të lehtësonte lëvizjen e lirë për qytetarët dhe mallrat në të dy anët e lumit, duke forcuar sundimin e ligjit./ Gazeta Enigma.

Related Articles