Çlirohen nga grilat kosovarët – Prej sot pa viza drejt BE-së

Çlirohen nga grilat kosovarët – Prej sot pa viza drejt BE-së

Nga sot qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejtë zonës Shengen për qëndrime afatshkurtra, shkruan Gazeta “Enigma”.

Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtohet lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punohet.

Nga sot qytetarëve të Kosovës u mundësohet të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen si turistë, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

Në prill të vitit 2023 Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën.

Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Në lidhje me  këtë çështje  Gazeta “Enigma” ka kontaktuar kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit ( AKB ) Agim Shahini, i cili tha se në bazë të një hulumtimi nga Instituti “Riinvest” pritet që në vitin 2024 nga Kosova të largohen deri në 150 mijë qytetarë.

Ku sipas tij kjo mund të jetë e përafërt, sepse nëse janë 360 deri në 380 mijë punëtorë, të cilët aktualisht janë kontributdhënës dhe fuqia punëtore po ashtu në Kosovë mund të jetë rreth 850 mijë punëtorë, pjesa tjetër dërmuese janë e papunë.

Kjo del se shifra rreth 150 mijë qytetarë të vendit seriozisht do ta rrezikojnë Kosovën dhe kjo është një zbrazje e Kosovës.

“Nuk do të largohen nga Kosova vetëm të papunët. Ata për fat të keq nuk janë vetëm punëtorë të papunë, por një numër i  tyre janë punëtorë që janë në punë dhe kanë kontrata të punës”, tha ai.

Ai tha se sipas një analize të AKB-së rreth 50 mijë punëtorë mund t’i kenë marrë në 2023-tën  kontratat e punës për në vendet e tjera.

“Kjo do të thotë nëse brenda tri viteve kanë ikur 150 mijë me dokumente të rregullta pune, në vitin 2024 do të shkojnë plus edhe 150 mijë të tjerë si turistë. Gjermania nga dhjetori ka liberalizuar tregun ku çdo qytetar i Ballkanit Perëndimor, i cili shkon në Gjermani si turist nëse bie në kontakt me një punëdhënës ai mund të lidh kontratë për një kohë shumë të shkurtër”, tha Shahini për “Enigmën”.

Tutje ai ka shtuar se në bazë të hulumtimit përveç faktorit ekonomik në ikjen e qytetarëve nga Kosova po ndikojnë edhe rrethanat politike.

Duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, sanksionet nga BE-ja, rënien e investimeve të huaja, Shahini thotë se këto kanë ndikuar që qytetarët e vendit të mendojnë se Kosova është në një gjendje të vështirë.

“Dhe ata mendojnë se e vetmja zgjedhje është Perëndimi për të shkuar për të siguruar veten, familjen e vet, standardin e vet. Ne si AKB mendojmë të kundërtën. Ne kemi qëndruar këtu edhe në kohët më të vështira dhe nuk e kemi lëshuar Kosovën. Ndërsa tash, kur Kosova ka nevojë për zhvillim të hovshëm ekonomik, ka nevojë për qytetarët e vet për të jetuar këtu në liri dhe pavarësi, entuziazmi për të lëshuar Kosovën është më i lartë se në vitet e 90-ta, kur kemi ikur nga represioni. Këtë situatë që jemi sot nuk e ka parashikuar askush”, deklaroi Shahini për Gazetën “Enigma”.

Nga sot kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete

Duke filluar nga sot kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në këto 27 shtete Liberalizimi i vizave kosovarëve ua mundëson lëvizjen e lirë pa viza në shtetet e zonës Shengen, e cila përbëhet nga 27 shtete anëtare: Gjermania, Austria, Belgjika, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lihtenshtejnin, Lituania, Luksemburg, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanjë, Suedi dhe Zvicra.

Kosovarët edhe pas liberalizimit të vizave nuk mund të udhëtojnë në Spanjë Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se edhe pas liberalizimit të vizave, bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Ju mund të qëndroni deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore brenda zonës Shengen Nëse udhëtoni disa herë, duhet të llogaritni me kujdes numrin e ditëve të qëndrimit tuaj, pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të tejkalojë totalin prej 90 ditësh brenda periudhës 180 ditore.

Periudha e qëndrimit llogaritet nga data e parë e hyrjes në çdo zonë Shengen. Udhëtimi pa viza nuk ju jep të drejtën për të kërkuar azil në shtetet e BE-së, ose të Shengenit. Keqpërdorimi mund të çojë në refuzimin e hyrjes në të ardhmen në raste të tilla si: qëndrimi përtej 90 ditësh në periudhë prej 180 ditësh, punësimi pa leje, nëse përbëni kërcënim për sigurinë publike ose përfshiheni në aktivitete kriminale.

Keqpërdorimi dhe qëndrimi përtej periudhës së mund të çojnë në gjobë financiare dhe të rezultojnë në dëbim dhe ndalim të hyrjes në Zonën Shengen deri në 5 vjet.

Kujtojmë se deri më sot Republika e Kosovës, ishte vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kosova ishte vendi i vetëm në Ballkan që kishte më shumë kritere për fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles