“Çmimet në qiell”, Pasuli 10€ – Qytetarët ankohen për rritje të çmimeve, ekzekutivi nuk mendon njejtë

“Çmimet në qiell”, Pasuli 10€ – Qytetarët ankohen për rritje të çmimeve, ekzekutivi nuk mendon njejtë

Kostoja e jetesës në Kosovë nga dita e ditës po shënon rritje.

Çmimet e produkteve ushqimore kanë qenë në lëvizje rregullisht gjatë kohëve të fundit, shkruan Gazeta Enigma.

Në fakt, ditë më parë çmimi i lartë i fasules ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.

Për një kilogram fasule në Pejë qytetarët është dashur të paguajnë deri në 10 euro, të paktën kështu figuron në tregun e kësaj komune.

Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në publikimin e fundit për muajin shtator për çmimet dhe inflacionin, kanë bërë të ditur se ushqimet dhe pijet alkoolike janë rritur për 2.4%.

Ato të pijeve alkoolike dhe duhanit kanë shënuar rritje për 3.2%, njofton ASK.

Se rritje të çmimit ka pasur, këtë po e thonë edhe disa qytetarë të cilët kanë kanë shprehur shqetësimet e tyre në rrjete sociale të Gazeta Enigma.

“Po janë rritur” shprehet njëri nga ta, derisa një tjetër ka thënë që sipas tij “janë duke e bërë dyfishin”.

Mirëpo njësoj si qytetarët nuk mendojnë ekzekutivi.

Përmes një publikimi të Eurostat, ata theksojnë se Kosova është shteti me rritjen më të ulët të çmimeve.


“Rritja e kostos së jetesës ka qenë njëra nga sfidat globale të cilës, njësoj sikurse të gjitha shtetet tjera, as Kosova nuk kishte se si t’i ikte. Për të gjitha qeveritë, nuk ka qenë në pyetje çështja se a do të ketë inflacion apo jo, por sa do të jetë mbrojtja që do ta ofrojë qeveria ashtu që ndikimi negativ i rritjes së çmimeve në nivel global, të jetë sa më i përballueshëm në nivel lokal. Masat që kemi ndërmarrë si qeveri përbëjnë pakon më të madhe mbështetëse në rajon krahasuar me Bruto Prodhimin Vendor, gjë kjo e konfirmuar edhe nga raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare”, ka thënë ministri Murati.

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj për Gazeta Enigma ka thënë se në rritjen e çmimeve ka ndikuar importi i lartë, derisa ka përmendur edhe faktin sa pagat janë të ulëta për standartin e jetës në Kosovë.

“Si rezultat i importit të lartë ne po diktohemi nga çmimet në rajon dhe botë dhe kësaj ja shtojmë edhe pagën, përkundër rritjes prapë kemi pagën më të ulët në rajon e cila e ka efektin e vet. Si rezultat i pagës së ulët qytetarët po hynë në kredi, sepse nuk po mund ta mbulojnë as muajin me këtë pagë dhe në këtë drejtim rrjedhimisht po rëndohet çdo ditë e më shumë jeta e qytetarit”, tha Kadriaj.

Më tej ai shtoi se sipas tij ASK nuk po mund të arrij që të përcjellë mirë gjendjen e rritjes së çmimeve derisa shtoi se ndikim mund të ketë edhe politika ditore.

“Vlerësoj se Agjencia e Statistikat e Kosovës, nuk është duke mund ta përcjellë gjendjen reale të rritjes së çmimeve në teren dhe tjetër çmime ka në market dhe qendra tregtare sidomos për shportën e konsumit dhe tjera çmime deklarohen përmes agjencionit të statistikave dhe vlerësoj se këtu mundet me pas impakt edhe politika ditore me agjencionin e statistikave që me çdo kusht me dal mirë të bërit ekonomi nga ana e qeverisë”, shtoi tutje ai.

Në anën tjetër sa i përket rritjes së pagave gjatë ditës zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka publikuar një fotografi e cila paraqet pagën mesatare bruto në Kosovë në 10 vitet e fundit.

“Rritja me e madhe e pagës mesatare bruto ka ndodhur gjatë viteve të Qeverisë Kurti”, është shprehur ai.

Kujtojmë se Kosova edhe më parë është përballur me situatë të tillë të rritjes së çmimeve, gjë për të cilën shumë qytetarë janë ankuar. /Gazeta Enigma

Related Articles