Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet t’i kthehen punës të hënën e dytë të muajit shtator.
Kontributi në menaxhimin e COVID-19, buxheti për vitin 2022 dhe miratimi i agjendës legjislative, do të jenë prioritet i shumicës parlamentare në sesionin vjeshtor të legjislaturës së tetë.
Nga opozita thonë se duke parë dështimin e Qeverisë Kurti, legjislativi duhet të ketë rol më kryesor në adresimin e sfidave.
Ndërsa, skeptikë për miratimin e agjendës legjislative deri në fund të vitit shprehen nga shoqëria civile.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë për KosovaPress se në sesionin vjeshtor të Kuvendit, fokus do të kenë miratimin e agjendës legjislative, e në veçanti buxhetin për vitin 2022.
Ajo është shprehur optimiste se në këtë sesion do të gjejnë bashkëpunim me opozitën, sidomos me çështjet delikate siç është pandemia dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
“Fokus të veçantë do të ketë buxheti i vitit 2022 që do të jetë hera e parë që Qeveria Kurti II do të ketë mundësinë e planifikimit sipas kornizave të programit të miratuar me qeverinë e re…edhe gjatë periudhës së sesionit pranveror i kemi bërë thirrje partive opozitare që të jemi bashkë dhe natyrisht në marrëveshjet ndërkombëtare, të tregojmë konsensusin që e kemi treguar. Besojmë që edhe në pjesët tjerë të legjislacionit, aty ku ka hapësirë dhe mundësi të jemi sa më konstruktiv për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.
Punë më të madhe nga grupi parlamentar i PDK-së në sesionin vjeshtor po premton anëtari i Kryesisë, Blerand Stavileci.
Ai ka thënë se në kohën kur Qeveria Kurti ka abstenuar totalisht në menaxhim, deputetët e PDK-së do të japin kontribut që të zhbllokohen disa procese vitale për qytetarët.
“Kjo mos punë dhe abstenim total i qeverisë do të bëjë që deputetët tanë të jenë edhe më të gatshëm dhe aktiv në artikulimin e kërkesave që janë të qytetarëve të vendin tonë. Të gjitha këto dështime po shohim se e kanë një adresë. Por nëse titullari i asaj adrese që është Qeveria e Kosovës nuk po i bënë detyrat e veta, atëherë ne të paktën ne do të mundohemi aty kur kemi mundësi të japin kontribuon tonë që të zhbllokohen disa procese, apo ri dizajnohen disa të tjera, siç është çështja e buxhetit në mënyrë që të nisim nga këto kërkesa që janë të domosdoshme për ta mbijetojnë pandeminë”, ka theksuar Stavileci.
Skeptik për miratimin e agjendës legjislative të Qeverisë Kurti në Kuvend, është shprehur Yll Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Ai ka thënë se më 25 gusht ka pasur një riaranzhim të programit legjislativ. Sipas tij aty janë rreth 197 projektligje, e të cilat konsideron se është e pamundshme të aprovohen në Kuvend.
“Së fundmi, përkatësisht me 25 gusht kemi një riaranzhim të programit legjislativ nga ana e qeverisë. Nga ky program shohim se është një program që i tejkalon ato mundësitë që i ka legjislativi i Kosovës për të aprovuar këto ligje që janë të planifikuara. Kemi diku rreth 197 ligje që pritet të aprovohen që nga fillimi i sesionit vjeshtor deri në fund të vitit. Kjo është një numër i pamundshëm për Kuvendin e Kosovës, kur dihet se në asnjë legjislaturë që nga shpallje pavarësisë nuk kemi më shumë se 205 ligje të aprovuara. Presim që të jetë prioritet për qeverinë që t’i dërgojë në Kuvend, pakon për gjyqësorin, ku përfshihet ligji për Këshillin Prokurorial, Ligji për Këshillin Gjyqësor dhe ligje të tjera që ndërlidhen meinstitucionet. Kjo duhet të jetë një prioritet, duke përfshirë, pastaj edhe ligjin për buxhetin dhe ligjet tjera që janë imediate që të përfundojnë këtë vit”, ka thënë ai.
Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës është konstituuar më 22 mars të vitit 2021, derisa ndërpreu punimet e sesionit pranveror më 13 gusht. Në katër muaj punë, ata miratuan vetëm katër ligje./kp