Partia Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur Konventën e 10-të zgjedhore, ku kryetar u zgjodh Memli Krasniqi.
Pas zgjedhjes së kryetarit, PDK ka miratuar edhe një deklaratë politike e cila përmban 23 pika.
Përmes kësaj deklarate, PDK shpreh krenarinë për origjinën e saj politike që buron nga kauza për çlirimin e vendit dhe lufta e drejtë dhe e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“PDK-ja me lidershipin e ri, do të reformohet për të avancuar agjendën politike në drejtim të ballafaqimit me pushtetin e papërgjegjshëm dhe keqqeverisjen aktuale. Ajo synon të nxisë mobilizimin politik ku së bashku me qytetarët, të kufizojë qeverisjen e dëmshme dhe ta rikthejë qeverisjen e zhvillimit, emancipimit, dinjitetit dhe integrimit”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Më poshtë gjeni Deklaratën politike:
- Partia Demokratike e Kosovës është krenare për origjinën e saj politike që burgon nga kauza për çlirimin e vendit dhe lufta e drejtë dhe e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
- Partia Demokratike e Kosovës është e vendosur për të promovuar dhe mbrojtur vlerat sublime të kauzës kombëtare për liri dhe pavarësi, që janë manifestuar në rrugëtimin historik të Kosovës dhe popullit të saj.
- Partia Demokratike e Kosovës, beson në drejtësi të paanshme dhe është e përkushtuar për të respektuar në plotni të gjitha instancat e drejtësisë që synojnë të vënë në pah të vërtetën e luftës së drejtë dhe të pastër të UҪK-së.
- Në kuadër të këtij përkushtimi, PDK-ja, megjithëse e lënduar politikisht nga aktakuza ndaj Kryetarit Kadri Veseli, akt që ka goditur organizimin politik, e mirëpret një proces të pavarur, të pandikuar dhe të drejtë për lirimin sa më të shpejtë nga pretendimet e pabaza!
- Në rrethanat e tilla të krijuara dhe të imponuara, PDK-ja është e vendosur që të rimëkëmbet dhe të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt rikthimit të plotë politik dhe identitar.
- PDK-ja është e vendosur që të vazhdojë rrugën e reformës në rrafshin strukturor, në rrafshin politik dhe në rrafshin ideacional, në mënyrë që të rikthehet sa më parë si forcë kryesore drejtuese politike në krye të institucioneve të Republikës së Kosovës.
- Mbi këtë qëllim, PDK-ja me lidershipin e ri, do të reformohet për të avancuar agjendën politike në drejtim të ballafaqimit me pushtetin e papërgjegjshëm dhe keqqeverisjen aktuale dhe në drejtim të mobilizimit politik që së bashku me qytetarët, të kufizojë qeverisjen e dëmshme dhe ta rikthejë qeverisjen e zhvillimit, emancipimit, dinjitetit dhe integrimit.
- Për të përmbushur këtë nevojë të domosdoshme, Konventa Zgjedhore e PDK-së, ka për qëllim të nxjerrë formatin e ri të lidershipit, të prodhojë qasjen e re konceptuale dhe të përcaktojë ritmin e ri të angazhimit deri në rikthimin e plotë e të pa lëkundur të mbështetjes qytetare.
- PDK-ja ka traditë, është e përkushtuar, aspiron dhe rrugëton në konsolidimin e strukturave të veta përmes procesit të lirë zgjedhor, demokratik dhe të bazuar mbi parime dhe norma.
- Partia Demokratike e Kosovës respekton zgjedhjen e lirë, të drejtën e kandidimit dhe konkurrencën politike për lidershipin e saj, si dhe është e përkushtuar për të respektuar rezultatet e procesit legjitim zgjedhor që del nga rregullat e përcaktuara për zgjedhjet e brendshme për strukturat e partisë.
- Partia Demokratike e Kosovës i kushton rendësi ndryshimit strukturor përmes kultivimit të një kulture të përgjegjshme politike, e cila e njeh procesin legjitim të transformimit në strukturat e saj, dhe e cila kultivon respektin për drejtuesit dhe strukturat e saj pas përfundimit të mandatit të tyre drejtues.
- Partia Demokratike e Kosovës është shtëpi e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë vullnet, kompetencë dhe përkushtim, për t’i dhënë Kosovës, shoqërisë dhe institucioneve publike, një format të ri të vlerave politike civile, si dhe angazhim dhe veprim politik në funksion të ngritjes së Republikës së Kosovës në rangun e shteteve të zhvilluara dhe me të ardhme prosperuese.
- Partia Demokratike e Kosovës, është adresë politike unike, e bashkuar, e hapur për të gjithë burrat dhe gratë, për të rinjtë dhe të rejat, për profesionistë dhe aktivistë që aspirojnë një rrugëtim të ri politik dhe një tregim të ri për të ardhmen që i duhet vendit tonë.
- Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet për t’iu ofruar qytetarëve një projekt të ri politik qytetar, në qendër të së cilit graviton zhvillimi ekonomik, barazia e shanceve si kusht themelor, sundimi efikas i rendit dhe ligjit, lufta kundër privilegjit, integriteti i institucioneve, zhvillimi i agjendës njerëzore dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit, konsolidimi dhe zbatimi i kushtetutshmërisë së Republikës, mirëqenia e qëndrueshme e individëve, familjeve, komunitetit dhe shoqërisë, si dhe për sigurinë dhe të ardhmen e brezave të rinj të saj.
- Partia Demokratike e Kosovës është e vendosur që rrugëtimin e mëtejmë politik të rimëkëmbjes, ta realizojë së bashku me qytetarin e Kosovës, duke e marrë në referencë përditshmërinë e tij, aspiratat dhe mundësitë që i duhen për të gjetur materializim individual në çdo dimension të jetës së tij.
- Partia Demokratike e Kosovës, priret nga toleranca politike dhe është e hapur për bashkëpunim pavarësisht relacionit që ka me pushtetin në kohë dhe kontekste të caktuara, me qëllim që të japë kontribut për zhvillimin e mëtejme të sferës publike, për zhvillimin ekonomik të vendit në bazë të parimeve të tregut të lirë, për avancimin e agjendës njerëzore dhe qytetare në Republikën e Kosovës.
- Partia Demokratike e Kosovës angazhohet fuqimisht për të vendosur një lidhje më të qëndrueshme në mes qendrave dhe periferive, me qëllim që asnjë qytetar, familje, vendbanim, rajon apo komunë, të mos lihet në disavantazh nga mundësitë zhvillimore që krijon shoqëria jonë.
- Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që në zgjedhjet lokale para nesh, t’iu ofrojë qytetarëve, bizneseve dhe komuniteteve, zgjidhjet më të mira për të cilat ata kanë nevojë, profilet më të denja për qeverisje dhe një zotim të hapur për çlirimin e potencialit zhvillimor në çdo komunë të Republikës së Kosovës.
- Partia Demokratike e Kosovës është e përcaktuar për aleancë të përhershme me partnerët strategjik dhe është e përkushtuar për të zgjeruar bashkëpunimin në kuadër të këtij partneriteti, me theks të veçantë me SHBA-të, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, me qëllim të realizimit të synimeve të përbashkëta në të mirë të vendit, rajonit dhe rritjes së paqes dhe sigurisë globale.
- Partia Demokratike e Kosovës angazhohet për një lidhje të fortë socio-ekonomike, kulturore dhe edukative me Diasporën tonë.
- Partia Demokratike e Kosovës inkurajon, fton dhe është e hapur për të gjithë qytetarët që kanë moshën e përcaktuar me ligj, për t’iu bashkangjitur rrugës së re dhe projektit të ri politik që i adresohet të rinjve dhe të rejave duke njohur rolin e tyre vital e të pazëvendësueshëm në projektimin dhe ndërtimin e të ardhmes së Kosovës që e duam të gjithë.
- Partia Demokratike e Kosovës, është mirënjohëse dhe shprehë konsideratë të lartë për angazhimin dhe punën e të gjitha organeve, strukturave dhe mbështetësve të saj, për trashëgiminë e përbashkët politike mbi atë çfarë i kemi dhënë Kosovës deri më sot, si dhe rrugën e re që do ta ndërtojmë së bashku.
- Partia Demokratike e Kosovës, është e bashkuar, e fortë, unike, e aftë dhe e gatshme që së bashku me qytetarët, ta materializojë vizionin e saj për Kosovën dhe të ardhmen prosperuese të shoqërisë tonë./Gazeta Enigma/