Ndonëse është në krye të dikasterit të Drejtësisë, Albulena Haxhiu vazhdon nga karriga e ministres që të ‘ankohet’ për sistemin e drejtësisë, i cili sipas saj vazhdon të jetë “i kapur, e jo efikas”, shkruan Gazeta Enigma.
Gjatë një konference për media të martën e 3 shtatorit, ministrja, Albulena Haxhiu, ka hedhur kritika ndaj Prokurorisë dhe Gjykatave, pas rastit të përleshjes me armë ndaj grupeve Sekiraqa dhe Capave në Prishtinë, nga ku një person mbeti i vdekur.
Haxhiu u bëri thirrje institucioneve që të kryejnë detyrat me përgjegjësi më të lartë dhe siç tha ajo, që të mos lejojë kriminelë e grupe kriminale që të bëjnë veprime të tilla.
“Në këtë rast ju inkurajoj që të drejtoheni në prokurorinë përkatëse, gjykatën kompetente. Ajo që doja të thosha unë është që për mua është e papranueshme që kriminelë e grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë apo tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të konsiderojnë që janë mbi ligjin dhe mbi shtetin. I bëj thirrje secilit institucion që të kryejnë detyrat me përgjegjësi më të lartë, të mos lejojnë kriminelët dhe grupe kriminale që të bëjnë veprime të tilla. Ata duhet të përgjigjen para drejtësisë. Janë rrezikuar edhe qytetarët e pafajshëm. Është tejet e rëndësishme që të mbahen përgjegjës ata të cilët kryejnë detyrat që kanë”, deklaroi ministrja.
Në lidhje me këto deklarata, Gazeta Enigma ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashin, i cili tha se Prokuroria nuk ndikohet nga “asnjë lloj presioni që i vije nga jashtë e as nga presionet politike”.
“Institucionit i Prokurorit të Shtetit e rrjedhimisht edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është institucion i pavarur e cila ushtron kompetencat e saj në mënyrë të pavarur duke mos u ndikuar në asnjë lloj presioni që i vije nga jashtë e as nga presionet politike”, tha Gashi për Gazetën Enigma.
“Andaj me përgjegjësi mund të ju themi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kryer punën e saj në mënyrën më të mirë edhe në rastin e ndodhur në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Prishtinë ku kishim një përleshje me armë zjarri në mes të dy grupeve kriminale, ashtu që në këtë rast Prokurori kujdestar së bashku me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë me të papranuar informatën për këtë rast kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprime e nevojshme hetimore”, u shpreh tutje ai.
Gashi tha se Prokuroria është duke ndërmarrur veprime hetimore për zbardhjen e identitetit të personave të tjerë të cilët ende nuk janë identifikuar e të cilët kanë marrë pjesë në këtë përleshje me armë zjarri.
Opozita e quan Haxhiun “ministre të dështuar”
Deklaratat e Haxhiut janë kritikuar edhe nga deputeti nga partia më e madhe opozitare (PDK), Rashit Qalaj,
Qalaj nuk hezitoi ta quajë ministren Haxhiu si një ndër ministret “më të dështuara” të Qeverisë Kurti.
“Çfarëdo deklarate që ministrja apo një njeri i politikës e bën në raport me Prokurorinë dhe Gjyqësinë, mendoj se është sulm direkt ndaj sistemit të Drejtësisë”, tha Qalaj për Gazetën Enigma.
“Prokurorët dhe gjyqtarët normalisht që kanë hapësirë me qenë më efikas edhe më të mirë. Abuslutisht, ne duhet t’i krijojmë kushtet që prokuroria edhe gjyqësia të jenë sa më efikase dhe efektive”, është shprehur ai.
“Ajo (Haxhiu) është një ndër ministret më të dështuara të Qeverisë aktuale”, theksoi Qalaj.
Se çështja e sulmeve të tilla nuk është vetëm përgjegjësi e Prokurorisë dhe Gjykatave, por edhe e Ministrisë së Drejtësisë, e thotë edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Ai tha se në vend që Qeveria ta drejtoj gishtin tek dikush tjetër, “fillimisht duhet me e pa veten në pasqyre”.
“Siguria publike në Kosovë, është bërë brengë e jashtëzakonshme, e cila nuk është trajtuar absolutisht prej institucioneve të Kosovës, dhe në veçanti nga ato që ndërlidhen me sundimin e ligjit. Në vend se me drejtu gishtin te dikush, fillimisht duhet me e pa veten në pasqyre, se çka ka bërë kjo Qeveri, për me parandalu, respektivisht për me kriju siguri publike në Kosovë”, deklaroi deputeti Tahiri për “Enigmën”.
Tahiri tha se çdo prind në Prishtinë është duke menduar për sigurinë e fëmijëve të tyre që do të shkojnë në shkollë.
“Secili është duke menduar për një situatë të tillë, e cila e trazoi jo vetëm një qytet, por një vend dhe një komb”.
I pari i grupit parlamentar të AAK-së tha se reflektimi i parë i përgjithshëm do të ishte prezantimi i masave që do të ndërmerreshin nga Qeveria, për të ndalë rrezikun permanent të qytetarëve nga krimi dhe nga dhuna.
“Puna e parë që ish dashtë me e bë, është me kallxu çka kem me bo, e jo me drejtu gishtin diku tjetër. Sepse përgjegjësia është tek një Qeveri që ka mandat katërvjeçar. Para se me drejtu gishtin do të duhej ta shohin veten në pasqyre”, deklaroi Tahiri.
Deklaratat e djeshme kritikuese të Haxhiut ndaj sistemit të drejtësisë nuk janë të parat e duket se nuk do jenë as të fundit. Ajo shpesh hedh kritika ndaj Prokurorisë për siç thotë ajo, “punë jo-efikase”.
Haxhiu së fundmi kritikoi sistemin e drejtësisë edhe për rastin e ikjes nga burgu të Faton Hajrizit, si dhe për rastin kur një burrë vrau gruan e tij në Graçanicë. /Gazeta Enigma