Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë komunën e Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Majac, dy persona kanë humbur jetën, raporton Gazeta Enigma.
Lidhur me rastin ka reaguar sërish sot përmes një njoftimi Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Viktimat janë identifikuar me inicialet I.B. dhe M.G. Ndërkohë, e dyshuara për rastin ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës dhe ekipet hetimore, së bashku me prokurorin e shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, për të ndërmarrë veprimet e para hetimore. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja, si dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.
“Sipas hetimeve preliminare, motivi i kësaj ngjarjeje tragjike ende nuk është i njohur. Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po zhvillon hetime intensive për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit”.
