Zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar do të jetë pikë e rendit të ditës së seancës së sotme parlamentare.
Në mesin e pretendetëve për t’u bërë pjesë e bordit të televizionit publik është edhe ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendesoje, Mehmet Kalisi.
Sipas raportimeve, ai siguroi më së pikë nga një komision at-hoc i Kuvendit të Kosovës i përbërë nga 10 deputetë.
Faza e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të këtij bordi, ku 13 kandidatë u intervistuan nga komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Republikës së Kosovës u monitorua nga Lëvizja FOL.
Sipas një njoftimi të kësaj lëvizjeje bërë më 1 nëntor pas vlerësimit të procesit të intervistimit 6 kandidatët të cilët i janë rekomanduar Kuvendit të Kosovës për votim janë: Mehmet Kalisi (904 pikë), Ilir Bytyqi (864 pikë), Albinot Maloku (830 pikë),Shukrije Rama (807 pikë), Naile Demiri (719 pikë) dhe Driton Shaipi (710 pikë).
Lëvizja FOL asokohe kishte vlerësuar se procesi i intervistimit ka qenë i padrejtë, jotransparent dhe shkelje flagrante e parimit të meritokracisë.
Kjo organizatë gjithashtu ka theksuar se procesi i vlerësimit të kandidatëve nuk kishte trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve gjatë intervistimit.
“ Kandidatëtve nuk u janë bërë pyetjet e njëjta gjatë intervistimit, gjë që do të lejonte vlerësim objektiv të të gjithë kandidatëve. Anëtarët aktualë të bordit të RTK-së u janë bërë nënpyetje shtesë, të cilat pyetje sipas vlerësimit tonë ishin pyetje tendencioze. Tutje, kohëzgjatja e intervistave prej 15 minutave për një kandidat ishte e pamjaftueshme duke marrë parasysh peshën dhe kompleksivitetin e pozitës së të qenurit anëtar i bordit të RTK. Po ashtu pikët për kandidatë u dhanë në përfundim të të gjitha intervistave dhe jo pas çdo interviste, siç është praktika në Kuvendin e Kosovës”, kanë thënë në “FOL”, transmeton Klankosova.tv.
“Ajo që është tejet shqetësuese dhe indikator i fuqishëm i mosrespektimit të parimit të meritokracisë është diskrepanca në poentimin e kandidatëve nga ana e anëtarëve të Komisionit për të njëjtin kandidat. Për shembull, dy kandidatë kanë marrë nga 4 pika në total nga deputetët Agim Veliu dhe Armend Zemaj dhe nga 100 pikë nga deputetët tjerë. Veliu dhe Zemaj nuk kanë ofruar asnjë arsyetim për poentimin minimal, gjë që nuk përkon me praktikat e krijuara gjatë proceseve rekrutuese me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë”.
FOL poashtu bën me dije se ka monitoruar edhe procesin e kaluar të përzgjedhjes së anëtarëve të këtij bordi ku gjithashtu kandidati me më së shumti pikë ishte Mehmet Kalisi, përkundër faktit se i njëjti, në të kaluarën ka përdorur gjuhë fyese ndaj mediave dhe i cili gjatë intervistimit kishte përmendur si ide krijimin e një agjencie shtetërore të lajmeve në kuadër të RTK-së.