Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti: Edhe një lajm i mirë nga Amerika

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti: Edhe një lajm i mirë nga Amerika

Një grup senatorësh amerikanë, nga të dy krahët, paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e legjislacioni të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Këtë nismë e ka mirëpritur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili e ka quajtur lajm të mirë për Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë se duke e parë rritjen e ndikimit të fuqive aziatike në Ballkanin Perëndimor me në krye Rusinë destruktive, SHBA-të kanë ndërmarrë një nismë gjithëpërfshirëse që synon orientimin e rajonit tonë kah BE-ja, NATO dhe ShBA-ja.

“Në kuadër të këtyre përpjekjeve tanimë na vjen edhe një lajm i mirë nga SHBA lidhur me zhvillimin ekonomik, rendin dhe shtetin ligjor për të hapur një perspektivë të re edhe për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Fjala është për projektligjin e paraqitur këto ditë nga një grup senatorësh amerikanë, nga të dy krahët (demokratët dhe republikanët), që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e legjislacionit të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në rajonin tonë”, ka shkruar Haliti në Facebook.

Haliti ka thënë po ashtu se kjo nismë, si e tillë, duhet mirëpritur nga institucionet relevante të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si e qëlluar dhe mbështetur.

“Nëpërmjet kësaj nisme, amerikanët mbi të gjitha synojnë të vendosin baza të shëndosha demokratike në vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u hapur rrugë integrimeve më të gjëra euro-atalantike. Si deputet i Kuvendit do ta ofroj gatishmërinë personale për jetësimin sa më të shpejt të kësaj nisme në Kosovë, për të mirën e vendit dhe qytetarëve”, ka thënë ai.

Kjo nismë vjen në kohën më kritike për vendet e Ballkanit Perëndimor, marrë parasysh synimet ruse në rritje, pas agresionit në Ukrainë, për të destabilizuar dhe shtrirë konfliktin edhe në këtë pjesë të Evropës.

Related Articles