Deputetja britanike, Alicia Kearns e cila po qëndron në Kosovë, në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka folur rreth sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke shtuar se një shtet i jashtëm është duke kryer hetime për sulmin.
E pyetur se cili shtet është ai, Kearns ka thënë se nuk mund të japë më shumë detaje.“Me sa kam kuptuar njëra prej shteteve të jashtme është duke bërë vetë hetim dhe kjo do të bëhet publike, dhe natyrisht Qeveria e Kosovës është duke e zhvilluar hetimin e vet po ashtu. Qeveria e Kosovës do të shohë drejtësi, do t’i shohë njerëzit në gjyq, si dhe ata që e kanë mbijetuar sulmin, ata që kanë humbur por edhe ata që kanë qenë dëshmitarë e meritojnë ditën në gjyq ku Millan (Radoiçiq) duhet me qenë aty në gjyq duke dhënë llogari.”
“Nuk jam e sigurtë a është kjo e ditur publike kështu që do të përmbahem prej komentimeve të mëtutjeshme lidhur me këtë”- shtoi ajo.
Kearns ka thënë se disa herë ka tërhequr vërejtjen se do të ketë eskalim të situatës në Kosovë, duke shtuar se gjatë vizitës në Kosovë ka dashur të shoh edhe armët që janë konfiskuar në veri të vendit.