Dështimi i seancave parlamentare që po ngulfat agjendën legjislative

Dështimi i seancave parlamentare që po ngulfat agjendën legjislative

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndonëse janë kategoria me të ardhurat më të larta në vend, si pasojë e mungesës së tyre, shpeshherë po dështojnë seancat parlamentare, shkruan Gazeta Enigma. Një gjë e tillë ndodhi edhe sot, kur seanca u ndërpre ende pa filluar mirë, në mungesë kuorumi.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca me të dështuar seanca ka kritikuar deputetët duke thënë se kjo legjislaturë nuk e meriton të vazhdojë për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve.

“Me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”, ka thënë i pari i Kuvendit, Konjufca.

E për këtë partitë në opozitë po e fajësojnë mazhorancën. Kështu ka deklaruar për Gazetën Enigma, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa.


“Unë e konsideroj që menaxhimi i Kuvendit nga mazhoranca nuk ka shku mirë. Që tri legjislatura, shpesh ka ndodhë që nuk ka pasë kuorum. Është përgjegjësi e mazhorancës që ta siguroj kuorumin.” tha ai.

Tutje, Beqa thotë se opozita duhet të ofroj zgjidhje në këto raste, pasi që e ka shumicën, dhe se opozita e ka kryer shumë mirë punën e vet.

“Opozita e ka për detyrë me ofru alternative, dhe ne e kemi kry punën tonë, kemi votu gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Kurse arsyeja pse po dështojnë seancat, duhet drejtuar mazhorancës, përkatësisht, kryetarit të kuvendit dhe grupit parlamentar që e ka shumicën.” shtoi ai.

Beqa mes tjerash tha se edhe opozita është për zgjedhje të reja, pasi që pushteti po dështon në kryerjen e detyrave të veta.

“Kjo e tregon fytyrën e Qeverisë, ata e kanë humb rrugën në oborr. Nëse kjo mazhorancë nuk ka konsolidim dhe nuk arrinë t’i kryej detyrat e veta, atëherë Qeveria duhet të hap krahun dhe të organizoj zgjedhje të reja”, përfundoi ai.

Por ndryshe vlerëson deputetja e Lëvizjes Vetvendosje, Labinotë Demi- Murtezi, e cila theksoi për Enigmën se përkundër kuorumit të përgjithshëm të mjaftueshëm, pozita nuk ka mundur të siguroj 61 vota, pasi opozita kishte deklaruar se nuk i voton pikat e rendit të ditës.

“Seanca e sotme ka pasur në rend dite pika të mbetura nga seancat e kaluara, shumica prej tyre vetëm për votim. Meqenëse opozita ishin deklaruar se nuk i votojnë këto pika të rendit të ditës, përkundër kuorumit të përgjithshëm të mjaftueshëm, seanca u ndërpre, ngase ne si pozite nuk arritëm t’i sigurojmë 61 vota, ashtu sic deklaroi edhe Kryetari i Kuvendit”, përfundoi Demi-Murtezi.

E krejt kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e dobët të punës së Kuvendit të Kosovës. Kështu vlerëson, Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Thaçi për Gazetën Enigma praktikat e tilla e kanë ngulfatur agjendën parlamentare.

“Fillimisht, mungesat e vazhdueshme të deputetëve, pa vlerësuar fare arsyetimet e tyre, shpërfaqin përgjegjshmërinë e ulët të tyre në lidhje me funksionin që ata bartin. Praktikat e tilla, e kanë ngulfatur agjendën parlamentare, me mbledhje të mbetura e rende dite të papërfunduar. Në pikëpamjen time, një praktikë e tillë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e punës legjislative në Kuvend”, ka thënë ai..

Tutje, ai deklaroi se “Akumulimi i një numri të madh të çështjeve për të trajtuar, në rrethana të kohës së limituar, dëmton procesin e domosdoshëm të vlerësimit meritor të secilit projektligj ose iniciativë ligjore në Kuvend – vlerësim ky i domosdoshëm për punën parlamentare”, shtoi ai.

Si pasojë e kësaj ai tha se ekziston rreziku i trajtimit ‘shkel e shko’ të këtyre pikave të mbetura nga seancat paraprake, duke tentuar t’i përshpejtojnë ato.

“Kësisoj, puna parlamentare, nga këndvështrimi i cilësisë dëmtohet tejmase, nga këto dështime të seancave, derisa ekziston rreziku i një trajtimi të ‘përshpejtuar’ dhe jo mjaftueshëm të kënaqshëm, të këtyre pikave të mbetura nga seanca”, ka theksuar ai.


Puna e Kuvendit të Kosovës shpesh është kritikuar edhe në Raportin e Progresit për vendin.

Kujtojmë se vitin e kaluar Kuvendi ka mbajtur gjithsej 56 seanca. Kuvendi ka zhvilluar 14 debate parlamentare, tri interpelanca dhe ka adresuar 240 pyetje për qeverinë. Komisionet parlamentare kanë mbajtur gjithsej 466 mbledhje. /Gazeta Enigma/

Related Articles