Dhuna në familjet kosovare nuk ka të ndalur, a po bëjnë mjaftueshëm institucionet e drejtësisë?

Dhuna në familjet kosovare nuk ka të ndalur, a po bëjnë mjaftueshëm institucionet e drejtësisë?

Vetëm këtë vit, nga janari deri në gusht, në Kosovë janë raportuar mbi 1 mijë e 800 raste të dhunës në familje, ku viktimat kryesisht ishin gra, shkruan Gazeta Enigma.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për Gazetën Enigma se deri në muajin gusht të vitit 2023 janë raportuar 1 mijë e 805 raste të dhunës në familje, raste këto nga të cilat kanë rezultuar 1 mijë e 883 viktima.

Nga këto shifra, afër 1 mijë e 500 viktima janë gra, krahasuar me 408 viktima burra.

“Rastet e dhunës kanë pësuar rritje marrë për bazë faktin se, gjatë vitit 2021 janë evidentuar 2456 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë vitit 2022 janë evidentuar 2674 raste”, njoftojnë nga Policia.

Nga Policia e Kosovës thonë se rastet trajtohen me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i saj i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është si parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, theksohet nga Zyra për Informim në PK.

Në lidhje me atë se si mund të parandalohen rastet e dhunës në familje, nga policia bëjnë me dije se përdoren forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim.

“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapet dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar, sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”, thekson policia.

“Shteti pa strategji për parandalimin e rasteve të dhunës në familje”

Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka theksuar se siguria e familjes është njëra nga tri shtyllat kryesore të sigurisë si koncept.

Shala, ka theksuar numrin në rritje të rasteve të dhunës në familje duke thënë se institucionet adekuate nuk po i qasen në thelb këtij problem.

“Nëse i referohemi viteve paraprake 2019 (kishte rritje të numrit) si dhe 2022, por, në një trend të tillë në rritje është edhe 2023, kjo po e dëshmon që institucionet preventive të shtetit nuk kanë vepruar meqë nuk kanë para vetit ndonjë strategji se si t’i qaset problemit në thelb por vetëm trajtohet në formatin e veprimeve penale”, tha Shala.

Sipas tij, faktorët që kryesisht paraqiten në fazën e dhunës në familje janë konfrontimi i ndryshimeve në koncept të jetësës që ndërlidhen me elementet ekonomike, sociale dhe psikologjike.

Qeveria e Kosovës ka hartuar një Strategji Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, për vitin 2022 deri në vitin 2026.

Në këtë strategji janë potencuar objektivat lidhur me veprime e masa të lidhura me edukimin dhe vetëdijesimin e shoqërisë për të mos e toleruar dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave. Aty përmendet puna me institucionet arsimore, organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe bizneset, si faktor kyq që ndikon në identifikimin e rasteve të dhunës, edhe në parandalimin e saj.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e kuvendit të mbajtur më 14 shtator, e pyetur për punën e kësaj ministrie në lidhje me dhunën në familje, ndër të tjera ka thksuar se është miratuar Ligji për kompensimin e viktimave të krimit, po ashtu në fushën e legjislacionit është miratuar ndihma juridike falas për viktimat e dhunës, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike të tyre. /Gazeta Enigma

Related Articles