Dialogu Kosovë – Serbi, Kurti: Shteti ynë është i përkushtuar, përpjekjet për dezinformim po intensifikohen

Dialogu Kosovë – Serbi, Kurti: Shteti ynë është i përkushtuar, përpjekjet për dezinformim po intensifikohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar “aleatët e Rusisë” se përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, këto veprime në Kosovë janë duke u intensifikuar dhe tashmë janë të dukshme.

“Në Kosovë, përpjekjet nga aleatët e Rusisë për të shtrembëruar të vërtetë, të kaluarën dhe të tashmen, janë të dukshme dhe po intensifikohen.

Gjatë kohës së ndjeshme, kur shteti ynë është i përkushtuar në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të normalizuar raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë, por edhe për përfshirjen e plotë të minoriteteve në proceset demokratike të shtetit, pa ndikim nga jashtë, këto kërcënime kibernetike, sikurse dezinformimi, bullizimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçmas përcaktuese”, tha Kurti.

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë akuzuar Rusinë se po shtyn aleaten e saj, Serbinë, që të nxisë tensione në Kosovë, përkatësisht në veriun e banuar me shumicë serbe. Por, këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë paralajmëruar për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Komentet e bëra nga Kurti vijnë disa ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pa ofruar prova, tha se Serbia synon të zbatojë një plan të ngjashëm me atë që zbatoi Rusia në Ukrainë më 2014.

Ajo iu referua aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjes së separatistëve pro-rusë në luftën e tyre kundër forcave ukrainase në rajonin lindor të Donbasit.

Related Articles