Refuzimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk po konsiderohet veprim i zgjuar.
Njohësit e procesit të dialogut Prishtinë-Beograd, kërkojnë nga Qeveria Kurti që të gjejë një zgjidhje kreative, në përputhje me Kushtetutën.
Sipas tyre në këtë mënyrë do të zgjidhej dhe ngërçi i bisedimeve në Bruksel dhe presioni do të binte mbi palën serbe, të cilës po i leverdisë kjo zvarritje e procesit të dialogut.
“Duhet të propozojnë një model të Asociacionit në mes të një Asociacioni me kompetenca të plota siç është paraparë në Bruksel dhe të një OJQ-së. Pra ndërmjet të qenit OJQ dhe Asociacion me kompetenca ekzekutive, ekziston një mes të cilin duhet ta propozojnë institucionet e Kosovës në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtu e kemi barrën ne të bëjmë këtë propozim, pastaj mund edhe mos t’i pëlqej Serbisë, është në të drejtën e saj mos të pajtohet. Por topi duhet të hidhet në anën tjetër. Ne duhet të bëjmë këtë propozim në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thotë Demush Shasha, drejtor i institutit EPIK.
Ndërkohë sipas Jeta Krasniqit, të Institutit Demokratik të Kosovës, “kjo duhet parë, nuk është vetëm Kosova që s’ka dashur të përmbush obligimin e saj për Asociacionin, por është Serbia që nuk e dëshiron një Asociacion në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Këtu do të jetë ajo, insistimi i Kosovës, që vendi është i gatshëm për Asociacionin në bazë të Kushtetutës, por është Serbia ajo që s’është e gatshme ta bëjë. Topi, apo presioni, të jetë mbi Serbinë dhe jo Kosovën”.
Kreativitet kërkon edhe njohësi i integrimeve europiane, Besnik Vasolli. “Duhet të jemi kreativë dhe të mundohemi të gjejmë zgjidhje që mos të ndalet dialogu. Mirëpo, në asnjë moment duke e cenuar sovranitetin, apo stabilitetin e vendit tonë. Nuk është në interes as tonin, as të miqve tanë ndërkombëtarë që ta bëjnë një Kosovë jofunksionale. Por në anën tjetër, edhe ne si Kosovë duhet ta krijojmë një mekanizëm të brendshëm të konsultimit pak më të gjerë të partive politike për të parë se a ka një alternativë tjetër që mundemi të propozojmë .Në këtë mënyrë të zhbllokohet dialogu dhe ta nxjerrim nga kjo gjendje që është”, sqaron ai.
Që nga rifillimi i dialogut, Serbia po insiston në formimin e Asociaciont të Komunave Serbe në Kosovë, por kryeministri Albin Kurti e kundërshton me forcë një gjë të tillë, duke cituar vendimin kundër të Gjykatës Kushtetuese. Si alternativë ka propozuar themelimin e një Këshilli Kombëtar të Pakicave, por Beogradi refuzon. /A2CNN