Dikur aleatë, sot përballë – A do të jetë Osmani rivalja kryesore e Kurtit?

Dikur aleatë, sot përballë – A do të jetë Osmani rivalja kryesore e Kurtit?

Përçarja mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, dikur aleatë të ngushtë politikë, nisi të bëhej e dukshme pas konsolidimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Bashkëpunimi që kishte karakterizuar periudhën e ardhjes së tyre në pushtet gradualisht u zëvendësua me distancim publik dhe mospajtime të heshtura, të cilat me kalimin e kohës u reflektuan në deklarata publike, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në deklarata publike u përmendën shpesh dallimet për koordinimin me aleatët ndërkombëtarë, mënyrën e përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit dhe kufijtë e kompetencave ndërmjet presidencës dhe qeverisë, ndërsa raportet mes Osmanit dhe Lëvizjes Vetëvendosje u ftohën gradualisht deri tek thyerja e plotë e marrëdhënieve të tyre, që u karakterizua me mos propozimin e Osmanit për mandatin e dytë si presidente, nga ana e VV-së.

Osmani: Kurti nuk më dëshiroi më në postin e Presidentes

Të martën, Osmani ka folur hapur për prishjen e marrëdhënieve me Kurtin me ç’rast dha versionin e saj mbi ngjarjet që çuan në këtë përçarje. Osmani adresoi raportin personal dhe politik me Kurtin, duke deklaruar se në periudha të vështira politike ajo e kishte mbështetur atë, ndërsa më vonë nuk kishte marrë të njëjtën mbështetje.

Osmani deklaroi se kryeministri Kurti i kishte thënë personalisht se nuk e dëshironte më në postin e presidentes. Ajo tha se arsyeja, sipas asaj bisede, lidhej me nevojën për një president që nuk do të merrej aktivisht me politikën e jashtme, deklaratë që u interpretua si konfirmim i tensioneve politike që kishin kohë që përfliteshin në skenën publike.

Osmani mohoi pretendimet se kishte tentuar rrëzimin e qeverisë, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë plan për destabilizim institucional dhe se roli i saj si presidente kishte shërbyer si faktor stabiliteti politik.

Sipas saj, akuzat e artikuluara nga figura të Vetëvendosjes nuk qëndrojnë dhe nuk reflektojnë realitetin e bashkëpunimit institucional që ajo kishte synuar të ruhej.

Presidentja theksoi se kishte pasur vullnet për vazhdimin e bashkëpunimit institucional, veçanërisht në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe në ruajtjen e koordinimit shtetëror në politikën e jashtme.

“Përçarja erdhi si shkak i rolit protagonistik të Osmanit në politikën e jashtme”

Sipas analistit, Arton Muhaxheri, arsyeja e prishjes së raporteve mes Kurtit dhe Osmanit ndodhi për shkak të marrjes së një roli më protagonistik në disa procese shtetërore nga kjo e fundit.

“Përçarja mes Vjosa Osmani dhe Albin Kurti ka ardhur si rezultat i zhvillimeve të fundit politike, ku Osmani ka marrë një rol më aktiv dhe më protagonistik në procese të rëndësishme shtetërore. Kjo duket se nuk është pritur mirë nga Kurti, sidomos duke pasur parasysh se ai ka arritur të fitojë një mbështetje të fuqishme elektorale edhe pa pasur nevojë për të njëjtin nivel mbështetjeje nga ajo. Si rrjedhojë, nga një aleate e mëhershme, Osmani sot perceptohet më shumë si pengesë politike për të”, tha ai.

Muhaxheri nuk e sheh Osmanin si kundërshtaren kryesore të Kurtit në rast të zgjedhjeve të ardhshme.

“Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, nuk e shoh Vjosa Osmani si kundërshtaren kryesore të Albin Kurti, por më tepër si një nga kundërshtarët e mundshëm në skenën politike, në varësi të rrethanave dhe zhvillimeve”, shtoi ai.

“Ndërsa për stabilitetin politik, Kosova vazhdon të përballet me mungesë stabiliteti, pavarësisht se qeveriset nga një parti me shumicë të fortë. Ndarja mes tyre nuk pritet të ketë ndonjë ndikim vendimtar në stabilitetin e përgjithshëm të vendit”, përfundoi Muhaxheri në një prononcim për Gazetën “Enigma”.

“Kurti nuk ka besim të ketë një presidente të pavarur”

Analisti Leon Duhanaj tha se përçarja mes Kurtit dhe Osmanit erdhi si pasojë e egoizmit personal dhe prishjes së një marrëdhënieje koalicioni të interesave të panatyrshme.

“Raportet e tendosura mes znj. Osmani dhe z. Kurti janë pasqyrimi më i mirë i shpërfaqjes së egoizmit personal mbi interesat e përgjithshme. Gjithashtu, ato janë pasojë e prishjes së një marrëdhënieje koalicioni të interesave të panatyrshme, të cilat nuk janë ndërtuar mbi parime dhe interes të përgjithshëm, por mbi interesa individuale karrieriste. Ata u prishën pasi degradua, radhazi, funksionimi i të gjitha institucioneve për gjashtë vite me radhë. Prishja e tyre nuk ndodhi për çështje parimore, por sërish për interesa egoiste individuale”, tha ai.

Ai tha se Kurti nuk ka besim të ketë një presidente të pavarur.

“Znj. Osmani i shkeli parimet demokratike për t’i mundësuar Kurtit zgjedhjet në fund të dhjetorit, sepse në atë kohë gjithçka ishte në rregull mes tyre dhe kishin marrëveshje që Kurti ta mbështeste edhe për një mandat. Mirëpo, Kurti e tradhtoi këtë marrëveshje dhe e la në baltë. Kjo sepse Kurti nuk ka besim të ketë një presidente të pavarur. Ai asnjëherë nuk ka pasur besim te znj. Osmani, por ata kanë gjetur një mbështetje të panatyrshme te njëri-tjetri”, shtoi ai.

Duhanaj kujton edhe kohën e ndarjes së Osmanit me LDK-në, duke shtuar se Osmani po përgatitet për një luftë mediatike me Kurtin.

“Ajo e kishte tradhtuar partinë e saj për t’iu bashkuar planit të Kurtit; tani e ka marrë faturën nga një njeri që është edhe më pak i përgjegjshëm se ajo vetë. Thjesht e shkurt, ajo tashmë po përgatitet për një luftë mediatike me ish-ortakun”, përfundoi ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles