Ditë më parë është dhënë si ide shtyrja e zgjedhjeve lokale, ndërsa për këtë kanë reaguar njohësit e proceseve zgjedhore.
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus dhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës janë shprehur kundër shtyrjes së zgjedhjeve, por sipas tyre mund të shkurtohet fushata zgjedhore apo të kufizohet lloji i aktiviteteve të fushatës.
“LVV paska hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, me pretekstin se mund të përkeqësohet situata me pandeminë. Është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, por këtë ndjeshmëri nuk e kemi parë në zgjedhjet e 14 shkurtit kur ftonin qytetarët të merrnin pjesë në marshe masive të fushatës zgjedhore.
Atëherë mund të jenë ndjerë më afër pushtetit. Sot, kur me gjasë numrat nuk po dalin mirë për zgjedhjet lokale, përnjëherë shqetësohen për shëndetin publik!”, shkruan Krasniqi në Facebook.
Sipas tij, një gjë duhet pasur parasysh, që shtyrja e zgjedhjeve nuk e fsheh paaftësinë, papërgjegjësinë dhe pandjeshmërinë e shpërfaqur nga kjo Qeveri në gjithë situatën me pandeminë.
“Përtej kufizimeve ligjore për shtyrje të zgjedhjeve, nuk është as e nevojshme. E tëra çfarë duhet të bëhet është shkurtimi i fushatës zgjedhore në marrëveshje me të gjitha paritë politike. Gjatë kësaj periudhe të shkurtuar të fushatës të mos lejohen tubime publike përmbi numrin e lejuar nga IKSHPK-ja, dhe që secili aktivitet publik i fushatës të monitorohet nga inspektorët për respektimin e masave”, shkruan ai.
Ndërkaq, Eugen Cakolli nga KDI thekson se në Kosovë janë mbajtur dy palë zgjedhje në kohë pandemie dhe përvoja nga to tregon që ka fare pak të ngjarë që rritja e rasteve të ketë ndodhur si pasojë e ditës së zgjedhjeve.