Dita Ndërkombëtare e Mjekëve: Rrugëtimi dhe sakrificat që ka kaluar ajo ndër vite

Dita Ndërkombëtare e Mjekëve: Rrugëtimi dhe sakrificat që ka kaluar ajo ndër vite

30 marsi është Dita Ndërkombëtare e Mjekëve. Kjo ditë u krijua për të njohur mjekët, punën e tyre dhe kontributet e tyre në shoqëri dhe në komunitet, shkruan Gazeta “Enigma”.



Iniciatori i kësaj dite ishte Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) dhe organizata humanitare “Mjekët pa Kufij”.

Gazeta “Enigma” për nder të kësaj dite ka kontaktuar me specialisten e mjekësisë familjare, Ramize Ahmeti Ibrahimi, e cila ka rrëfyer ndjenjën e të qenurit mjeke, ka kujtuar kolegët e saj që humbën jetën në krye të detyrës, pavarësisht sfidave që patën para vetes.

Ahmeti ka kujtuar ditët e para në këtë profesion dhe sakrificat që ka kaluar për të arritur këtu ku është tani.

Sipas saj “të punosh me të gjitha kategoritë e pacientëve është përgjegjësi morale dhe etike, por të trajtosh kategoritë me vulnerbalie fëmijët dhe të moshuarit është një kënaqësi e veçantë sepse para vetes ke moshën që nëse kemi një kujdes dhe trajtim të mirëfilltë në fëmijëri do ta kemi edhe një rini dhe një pleqëri me më pak sëmundje dhe me shëndet të mirë”.

E për ikjen e mjekëve nga vendi doktoresha Ramize Ahmeti Ibrahimi ka thënë se kjo që po ndodh në vendin tonë nuk është për gjykim dhe as për përkrahje.

Intervista e plotë

Gazeta “Enigma”: Sot është Dita Ndërkombëtare e Mjekut, çka nënkupton kjo ditë për juve?

Ramize Ahmeti – Ibrahimi: Fillimisht ju falënderoi për urimin dhe gatishmërinë tuaj që të më kontaktoni në Ditën Ndërkombëtare të Mjekut. 

Respekt të veçantë shprehi për të gjithë kolegët tanë që tani më nuk janë, që humbën jetën në krye të ushtrimit të profesionit pavarësisht sfidës që patën para vetes. 

Për mjekun kjo është ditë e veçantë të rikujtimit dhe të mbështetjes së këtij profesioni human. 

Kjo ditë na bënë pa dashje që të kthejmë kujtimet tona që nga fëmijëria e hershme e pata vullnetin dhe këmbëngulësin time që të bëhem mjeke edhe përkundër shumë sakrificave të shumta që kisha para vetës arrita që ti sfidoj ato, vetëm e vetëm që ta gëzoj titullin mjek një profesion human për të gjithë pa dallim moshe, përkatësisë dhe gjinisë.

Gazeta “Enigma”: Emocionet tuaja në ditët e para të punës si mjeke?

Ramize Ahmeti – Ibrahimi: Emocionet janë vështirë të përshkruhen, sepse janë emocione të përziera të frikës dhe gëzimit se a do të jem unë ajo që do ti ndihmojë në situatë të sëmundjes , provimit, këshillimit dhe përcjelljes së çdo individi në rast se ata kanë nevojë me një qëllim të vetëm, shëndet për të gjithë.

Gazeta “Enigma”: E dimë që ky profesion ka shumë peripeci, cilat janë vështirësitë e këtij profesioni?

Ramize Ahmeti – Ibrahimi: Të jesh mjek duhet të jesh i gatshëm në çdo situatë, çfarëdo të jetë ajo, të kesh vullnet, gatishmëri, forcë, guxim, njohuri, aftësi të mira në komunikim, qasje, përkrahje në të gjitha fazat e jetës, e që kjo arrihet vetëm kur gjithmonë e rikujtojmë betimin e hipokratit.

Gazeta “Enigma”: Çfarë ndjenje është të punoni me fëmijë?

Ramize Ahmeti – Ibrahimi: Të punosh me të gjitha kategoritë e pacientëve është përgjegjësi morale dhe etike, por të trajtosh kategoritë me vulnerbalie fëmijët dhe të moshuarit është një kënaqësi e veçantë sepse para vetes ke moshën që nëse kemi një kujdes dhe trajtim të mirëfilltë në fëmijëri do ta kemi edhe një rini dhe një pleqëri me më pak sëmundje dhe me shëndet të mirë.

Gazeta “Enigma”: Mendimi juaj për ikjen masive të mjekëve jashtë vendit?

Ramize Ahmeti – Ibrahimi: Asnjëherë në asnjë moment nuk e kam menduar se do të largohem nga vendi im për të dhënë kontribut në një vend tjetër. Kjo që po ndodh në vendin tonë nuk është për gjykim dhe as për përkrahje.

Gazeta “Enigma”: Çka duhet të bëj shteti për parandalimin e kësaj dukurie?

Ramize Ahmeti – Ibrahimi: Duhet të rregullohen kushtet për mjekun pa diskutim të kenë mundësi punësimi dhe vazhdimi i edukimit specialistik e tutje që ne të kontribuojmë për popullin dhe vendin tonë. E mandej secili vendos vetë se ku do të punoj, por që mos të ketë arsye tjera për braktisjen e vendit sepse kemi profesionist shëndetësorë që asnjë vend nuk i ka.

Gazeta “Enigma”: Mesazhi juaj për mjekët e rijnë?

Ramize Ahmeti – Ibrahimi: Porosia ime si mjeke familjare është që të kemi një qëllim të përbashkët me pak sëmundje, popullatë të shëndetshme, rini të shëndosh, të na përmirësohen kushtet e punës dhe të kontribuojmë në vendin tonë.

Mjekët janë heronjtë e ditëve më të vështira dhe të pazëvendësueshëm për jetën e njeriut në çdo moment.  /GAZETA ENIGMA/

Related Articles