Para dyerve të Klinikës Emergjente të QKUK-së në temperatura të larta po qëndron nëna e Shemsedin Sopajt. Aty po pret ndonjë lajm për gjendjen shëndetësore të dy nipërve (fëmijjëve të djalit), të cilët po trajtohen që nga orët e para të mëngjesit. Ata u aksidentuan derisa po vinin në vendlindje nga Sllovenia për t’i kaluar pushimet verore. Në këtë aksident, nënës nga fshati Jançisht i Malishevës i vdiq djali Shemsedini, bashkë me gruan e tij, Mirveten. Çifti la pas tre fëmijë. Nacionale jua sjellë rrëfimin e dhimbshëm për këtë rast.
“Hatri i qatyne fmive unë kam me qëndru…U nisë pa gjumë prej Sllovenisë, t’u punu. Fëmijët du me i afru. Du me ba gajret hatri i tyne”, kështu rrëfen me pak fjalë për rastin e rëndë nëna e Shemsedin Sopajt, i cili, bashkë me gruan, Mirveten, vdiqën pas përfshirjes në një aksident trafiku derisa nga Sllovenia po vinin për në Kosovë.
Kjo grua e rreth të 80-ave po qëndronte e fortë përballë dhembjes së madhe që po e përjetonte.
Në një bisedë për Nacionalen, nëna e Shemsedinit tashmë të ndjerë tregon për historinë e rëndë e të dhimbshme që kanë si familje.
“Hala 22 vjet e varrtë e djalit tjetër s’i kem harru. Djali i madh mu ka vra në luftë. Kur është vra ai, ky djali që u aksidentu (Shemsedini) pati bërtit: “O vlla, më le vet”, i pati thanë”, thotë kjo nënë për plagët shpirtërore që po i bart tash e shumë vjet.
“Me kanë qe çohet, tash isha shku e ju kisha thanë: shpirtin tem merre e k’ta lene. Du me ba gajret, qysh kom ba për të madhin”, thotë nën rënkim nëna që i humbi djalin e gruan e djalit në aksidentin që ndodhi mbrëmë në magjistralen Podujevë – Prishtinë në orët e hershme të 29 korrikut.
Si ndodhi e gjithë kjo ngjarje e rëndë?
Shemsedin Sopaj, bashkë me gruan e tij, Mirveten, e dy fëmijët e tyre, E.S., 5 vjeç, dhe S.S., 3 vjeç, nga Sllovenia morën rrugë për në Kosovë. Por ky çift nuk arriti që t’i takonte familjarët, të cilët po i prisnin me padurim t’i përqafonin. Shemsedini u përfshi në një aksident trafiku me një autobus në orët e para të mëngjesit të 29 korrikut.
Plagëve, ai, bashkë me gruan e tij, Mirveten, nuk arritën që t’u bëjnë ballë. Të lënduar mbetën rëndë fëmijët e tyre.
Djali i çiftit tashmë të ndjerë pritet që t’i nënshtrohet një operacioni, derisa vajza po i nënshtrohet ekzaminieve të tjera mjekësore.
Gjendja e tyre shëndetësore, sipas mjekëve, raportohet të jetë e rëndë.
“Jemi duke e monitoru gjendjen e tyre shëndetësore. Ua kemi ba të gjitha analizat. Po presim t’i përsërisim disa. Gjendja e tyre është stabile për momentin, por e rëndë. Të dy këta ende po trajtohen në Klinikën Emergjente”, deklaroi për Nacionalen drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.
Mirvetja, e cila vdiq në aksident, para një jave e varrosi nënën
Mirvetja, që mbeti mbrëmë e vdekur në aksidentin e tmerrshëm në Podujevë derisa po vinte nga Sllovenia, para pak ditëve kishte qenë në Kosovë.
Ajo në vendlindje erdhi për ta varrosur nënën e saj. Me dhembje ishte nisur për në Slloveni për t’i marrë dy fëmijët e tjerë për të ardhur serish në Kosovë.
Familjarët e Mirvetës kanë dhënë detaje për këtë rast.
“Te djali kanë me intervenu tash në këmbë. Një vëlla, fëmijët e kanë këtu në Kosovë. Mirvetja, mesa jonë, që vdiq, si ka nja dhjetë ditë që nanen e ka shti në dhe. Para një jave ka shku për me i marrë dy fëmijët e tjerë në Slloveni”, i thanë familjarët e Mirvetës gazetës.
Ndërkohë, trupat e pajetë të viktimave të moshave 36 dhe 35-vjeçare, me urdhër të prokurorit, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se aksidenti me pasoja fatale ka ndodhur rreth orës 04:40 në rrugën Prishtinë – Podujevë.
Po ashtu, raportohet se viktimat janë me prejardhje nga Malisheva, gjë të cilën e ka konfirmuar për Nacionalen kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati.
Kastrati sot ka qëndruar në QKUK, aty ku familjarëve u ka shprehur ngushëllime.