Doza e tretë ‘shpëtim’ kundër variantit të ri, MSh ende nuk i ka dhënë “dritën jeshile”

Doza e tretë ‘shpëtim’ kundër variantit të ri, MSh ende nuk i ka dhënë “dritën jeshile”

Vendimi për aplikimin e dozës së tretë të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19 në Kosovë do të merret në kohën e duhur dhe bazuar në situatën epidemiologjike, kanë thënë për Gazetën ‘Enigma’, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

Doza përforcuese e vaksinës është rekomanduar edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Vendimi për aplikimin e dozës së tretë do të merret në kohën e duhur dhe në përputhje edhe në rekomandimet e organizatave kredibile ndërkombëtare të fushës së shëndetësisë, parashikimet rreth situatës epidemiologjike dhe ecurisë së vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur!

Por, a ndihet Kosova e rrezikuar nga ky variant pasi që nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk kanë dhënë “dritën jeshile” për administrimin e dozës së tretë?

Infektologu, Hamdi Ramadani

Infektologu, Hamdi Ramdani, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se mosmiratimi nga MSh për dhënjen e dozës së tretë është shqetësuese.

“Është mjaft brengosëse mos dhënia e miratimit nga MSh i dozës së tretë edhe për variantin Delta, por edhe për variantin Omikron, ku dihet se shumë vende edhe para zbulimit të këtij varianti kanë dhënë dhe japin tash sa kohë dozën shtesë ose përforcuese”, ka deklaruar ai.

Njëherit, Ramadani ka theksuar se vaksinimi me dozën e tretë është I rëndësishëm për mbrojtjen nga të gjitha variantet e sidomos tani nga variant i ri.

“Ministria e Shëndetësisë duhet sa më pare të filloj dhënjen e dozës së tretë për mbrojtjen nga të gjitha variantet, por sidomos nga ky I fundit ku të dhënat e paraqitura po tregojnë mundësi në depërtim të imunitetit më shumë se variantet e tjera, sepse ky variant ka shumë mutacione”, ka përfunduar Ramadani.

Doza e tretë e vaksinës anti-COVID mund të ofrojë mbrojtje më të madh kundër variantit të ri, ka deklaruar profesori i njohur amerikan, Patrick Vallance.

Vallance deklaroi se një dozë shtesë “do të krijonte imunitet në masë”, derisa ka shtuar se nëse ka nevojë për doza tjera duhet pritur.

“Nëse ka nevojë për më tepër do të shohim”, tha ai, raporton BBC.

I pyetur për rrezikun nga varianti Omicron, ai deklaroi se kompanitë farmaceutike tashmë janë duke modifikuar vaksinat aktuale me qëllim të mbrojtjes nga ky variant.

Varianti i ri i COVID-19, Omicron

Në anën tjetër, kryeministri britanik Boris Johnson ka deklaruar se këto Krishtlindje gjendja me pandeminë do të jetë më e lehtë se vitin e kaluar.

Ilustrimi i variantit të ri që të shtunën e prezantoi spitali italian Bambino Gesu, shfaq Omicronin krahas variantit Delta – një prej varianteve më ngjitës të coronavirusit.

Varianti Omicron ka dukshëm më shumë mutacione sesa Delta, në veçanti në rajonet që në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pasur kontakt me qelizat e njeriut. Vatrat e mutacionit janë shënjuar me ngjyrë të kuqe në fotografinë që e kanë zbuluar shkencëtarët.

“Kjo është fotografia në spektrin e gjerë, është një model i bërë në laborator”, tha përfaqësuesi i spitalit.

Ndryshimet sugjerojnë që virusi ndoshta është përshtatur mirë te njerëzit, kështu të paktën pretendojnë shkencëtarët. Megjithatë, është herë të thuhet nëse këto mutacione së bashku e bëjnë Omicronin më të rrezikshëm krahasuar me variantet paraprake të coronavirusit.

Varianti i ri tashmë është përhapur edhe jashtë kontinentit të Afrikës, ku në Hong Kong, Izrael, Belgjikë, Gjermani dhe Britani të Madh janë konfirmuar rastet e para, e në vendet e tjera po hetohen dyshimet me infeksione të këtij varianti.

Omicroni tashmë ka nxitur kufizime të reja, ku 27 shtatë vendet anëtare të BE-së kanë ndërprerë trafikun ajror me shtatë vendet e Afrikës së Jugut.

Vendet jashtë bllokut, përfshirë SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, kanë aplikuar kufizime të ngjashme, derisa Izraeli po vazhdon me masat më të ashpra deri më tani – duke ua ndaluar hyrjen në këtë vend të gjithë të huajve./Gazeta Enigmna/

Related Articles