Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë draftuar një rezolutë lidhur me zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Serbi e të cilat nga shumë vëzhgues janë gjykuar se kanë qenë të parregullta.
Në këtë draft-rezolutë thuhet se zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor nuk mund të konsiderohen si të lira dhe të drejta, raporton Nova.rs.
“Parlamenti Evropian ndjen keqardhje që zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit 2023, janë devijuar prej standardeve ndërkombëtare dhe angazhimit serb për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për shkak të keqpërdorimit të vazhdueshëm dhe sistematik të institucioneve dhe mediave nga zyrtarët për të fituar një avantazh të padrejtë dhe të pajustifikuar”, thuhet në pikën e parë të draftit.
“Këto zgjedhje nuk mund të konsiderohen të lira dhe të ndershme; të alarmuara nga shkalla e përhapur dhe sistematike e mashtrimit që kërcënoi integritetin e zgjedhjeve në Serbi”.
Parlamenti Evropian i bën thirrje Komisionit Evropian që të ndërmarr një iniciativë për të dërguar një mision ekspertësh në Serbi, që mund të përfshijë edhe nga ata të OSBE-së, Komisionit të Venedikut dhe Këshillit të Evropës që të bëjë vlerësimin e situatës, përfshirë zhvillimet pas zgjedhjeve.
Kjo sipas tyre duhet të bëhet për të siguruar parakushte për nisjen e një dialogu social të domosdoshëm që do të çonte në rikthimin e besimit publik në institucione.
Ndërkaq, në Serbi, këtë të martë janë betuar deputetët e rinj, në seancën e parë konstituive.