Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë u mabjtën më 9 shkurt 2025, ku qytetarët me anë të votës së tyre zgjodhën përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryesoi me 41.29% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.83% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.75%. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate arritën 7.68% të votave.
Bashkimi Evropian dërgoi një mision vëzhgimi për të monitoruar zgjedhjet, duke riafirmuar përkushtimin e tij për një proces zgjedhor të besueshëm dhe transparent. Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, u emërua si kryevëzhguese e këtij misioni.
Në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor në vend u deklarua edhe shefja e Misionit të BE-së, Nathalie Loiseau, e cila u deklarua për ecurinë e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve në Kosovë.
“Të dielën qytetarët e Kosovës dolën në vendvotime për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dua të përgëzoj votuesit që morën pjesë në këto zgjedhje historike të parat pas një mandati të plotë parlamentar, poashtu edhe ligjet e para nën Ligjin e ri për Zgjedhjet, që përfshin shumë prej rekomandimeve të mëhershme të BE-së”.
“Në përgjithësi dita e procesit zgjedhor ka qenë e qetë, votuesit kishin mundësi të votonin në kushte të mira, duke iu falënderuar dedikimit të stafit të qendrave të votimit, këto janë sinjale se qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar ndaj demokracisë. Dua të falënderoj Zyrën e BE-së në Kosovë për mbështetjen e tyre, dhe delegacionin e BE-së, për bashkëpunimin shumë të mirë që kemi pasë”, ka thënë Loiseau.
Për të garantuar sigurinë gjatë procesit zgjedhor, NATO dërgoi 200 ushtarë shtesë italianë në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR në Kosovë.
Shënjimi i votuesve me marker KQZ-së i kushtoi mbi 16 mijë euro
Gjatë procesit të votimit, u përdor praktika e shënimit të gishtit me marker për të parandaluar votimin e dyfishtë. Megjithatë, disa organizata monitoruese raportuan se shenja e markerit mund të fshihej lehtësisht, duke ngritur shqetësime për mundësinë e abuzimeve.
Vlera e përgjithshme e kontratës kapi vlerën prej 16,638.00 euro.
Edhe ky proces zgjedhor nuk kaloi pa ankesa
Procesi zgjedhor u vlerësua përgjithësisht si i qetë dhe demokratik. Megjithatë, pati disa ankesa lidhur me parregullsi të vogla, të cilat janë duke u shqyrtuar nga autoritetet përkatëse.
Rënia e faqes së KQZ-së, Prokuroria autorizon nisjen e hetimeve
Prokuroria e Kosovës ka autorizuar nisjen e hetimeve, rreth problemeve me faqen e Komisionit të Zgjedhjeve.
Problemet filluan që nga dita e zgjedhjeve më 9 shkurt, kur uebsajti ra nga funksioni dhe rezultatete ishin të paqasshme. Dyshohet se faqja u bë cak i sulmeve kibernetike.
KQZ ende pa përditësim, vazhdon të ketë probleme.
KQZ: Mbi 84 mijë vota nga diaspora
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 80.1 për qind e të regjistruarve në diasporë kanë votuar për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i votave në përfaqësitë diplomatike në të cilat u zhvillua votimi, më 8 shkurt 2025, është 15,352 nga 20,324. Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të votimit nga jashtë Kosovës, votimin përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së në shtete të ndryshme janë pranuar 68,712 pako me fletëvotime. Në përgjithësi, nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe nga pakot e pranuara, përqindja e pjesëmarrjes në votimin jashtë Kosovës është 80.10% (kjo përqindje mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit). Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për votimin jashtë Kosovës ishte 104,924 votues”, tha Elezi për “Enigmën”.
Veç edhe 0.83% të votave ende të panumëruara
KQZ i ka numëruar tashmë 99.17% të votave, por ka mbetur edhe 0.83% për të votave të mbetura.
“Sot në orën 16:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon të fillojë numërimin në Qendrat Komuale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh. Procesi i numërimit në Qendrat tjera do të fillojë pasi të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe administrative”, tha Elezi për “Enigmën”.
Kujtojmë se zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe transparente, me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe vëzhgim ndërkombëtar. Rezultatet treguan një mbështetje të konsiderueshme për LVV-në, ndërsa partitë opozitare shënuan gjithashtu një prani të rëndësishme në Kuvend. /Gazeta Enigma/