Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Maqedoni të Veriut, ku si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një diskotekë në Koçan, 51 persona humbën jetën dhe mbi 100 persona mbetën të plagosur, raporton Gazeta “Enigma”.
Drejtoresha e spitalit të Koçanit, Kristina Serafimova, ka bërë të ditur në këtë spital po trajtohen rreth 20 pacientë me lëndime më të lehta, ndërsa të lënduarit që janë në gjendje më të rëndë janë dërguar në Klinikat e Shtipit dhe Shkupit.
Në një deklaratë të dhënë para mediave, ajo ka thënë se një numër i madh i viktimave kishin ndërruar jetë në vendngjarje, e disa prej tyre sapo kishin mbërritur në spital.
Sipas drejtores së spitalit te Koçanit, personat e vdekur janë nga mosha 14-24 vjeçare.
Ndërkaq, për momentin janë identifikuar vetëm ata që kane pasur me vete letërnjoftimin.
Personat që trajtohen në spitale kanë pësuar djegie dhe janë helmuar nga tymi i zjarrit.